Enver Sekiraqës i ndryshohet masa e arrestit shtëpiak me paraqitje në stacion policor

Enver Sekiraqa i akuzuar se ka nxitur vrasjen e Triumf Rizës është lënë i lirë. Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë u vendos që masa e arrestit shtëpiak t’i largohet.

Avokatja e Enver Sekiraqes, Kosovare Kelmendi, në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se klientit të saj i është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacion policor.

“Masa e arrestit shtëpiak i është zëvëndësuar me masën e paraqitjes në stacion policor një herë në javë”, ka thënë Kelmendi.

Gjykata Themelore në Prishtinë për ndryshimin e masës ka thënë se Sekiraqa qe dy vjet nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe ka arsye pë t’i besuar se do të mund të fshihet ose do të largohet nga Kosova.

“Gjykata duke vepruar sipas detyres zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërpren masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi. Andaj gjykata vlerëson se është përmbushur kushti nga neni 176 paragrafi 1, pika 1.2 të KPRK-së, ngase ka arsye për të besuar, se po të gjendet i akuzuari në liri të plotë, do të mund të fshihet ose do të largohet nga Kosova. Kundër këtij vendimi, palët mund të paraqesin ankesë në GJykatën e Apelit, përmes GJykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Themelores në Prishtinë./21Media

Back to top button