“Do të paguani çmim të lartë për sulmet”

“Do të paguani çmim të lartë për sulmet”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se qeveria siriane do të paguajë një “çmim shumë të shtrenjtë” për shkak të sulmit ndaj trupave turke në rajonin e Idlibit në Siri, ku 13 ushtarë janë vrarë brenda pak më shumë se një jave.

Në Ankara, bisedimet midis Turqisë dhe Rusisë përfunduan pa një marrëveshje, për ndalimin e luftimeve ndërmjet forcave të presidentit Bashal-al Assad dhe rebelëve anti-qeveritarë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar regjimin sirian, duke deklaruar se kanë gjetur telashet që po i kërkojnë. “Regjimi sirian ka gjetur telashet që po kërkojnë, sidomos në Idlib, por kjo nuk mjafton. Do të vazhdojmë sepse sa më shumë ata sulmojnë ushtarët tanë, aq më të lartë do ta paguajnë çmimin. Ne do t’i bëjmë publik këta hapa nesër”.

Turqia përkrahë forcat rebele, ndërkaq Rusia mbështet presidentin, Bashar al-Asad.

Forcat qeveritare siriane po bëjnë përpjekje për të kthyer kontrollin në rajonin e Idlibit, dhe disa pjesë të Alepos.

Këto rajone janë territoret e fundit në të cilat kanë ende kontroll rebelët anti-qeveritarë.

Ankaraja vendosi mijëra ushtarë për të frenuar ofensivën siriane.

Në qytetin Nairab, rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia, rrëzuan një helikopter që besohet se i përket qeverisë siriane.

Ofansiva e forcave të Asadit në Idlib ka shkaktuar zhvendosjen e rreth 700.000 njerëzve nga shtëpitë e tyre. Shumica e të zhvendosurve janë gra dhe fëmijë.

Në Turqi gjenden rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë. Ankaraja ka frikë se mund të ndodhë një fluks tjetër i refugjatëve pas përshkallëzimit të dhunës në Idlib./21Media