Erdogan: Turqia duhet të ketë një kushtetutë të re

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se Turqia mund të miratojë një kushtetutë të re. Deklarat e tij ngjalli diskutime nëse ai përmes kësaj mase, po synon zgjatjen e qeverisjes së tij, transmetojnë agjencitë Reuters dhe AFP.

Erdogan, 66 vjeç, ka qeverisur me Turqinë si kryeministër ose president që nga viti 2002, duke forcuar kontrollin e tij mbi kombin me 83 milionë banorësh, si dhe duke i mbijetuar një grusht shteti të dështuar.

Më 2017 Turqia ka ndryshuar Kushtetutën duke i siguruar presidentit më shumë fuqi ekzekutive dhe duke e zbehur fuqinë e pozitës së kryeministrit.

Ai më pas ka fituar zgjedhjet presidenciale më 2018. Ky është mandati i parë nga dy mandatet e mundshme pesë-vjeçare sipas rregullave.

Zgjedhjet në Turqi janë planifikuar të mbahen në qershor të vitit 2023, që do të thotë se, nëse ai rizgjidhet, qeverisja e tij do të duhet të mbarojë deri në vitin 2028.

Por, pasi kryesoi një takim kabineti katër orësh, presidenti ngriti idenë për të shkruar një Kushtetutë krejt të re për të zëvendësuar atë që Turqia ka përdorur që nga viti 1982.

Ajo u hartua pas një grushti shteti ushtarak.

“Është e qartë se burimi i problemeve të Turqisë është se kushtetutat janë shkruar gjithmonë nga puçistë”, tha Erdogan në televizionin kombëtar.

“Nëse arrijmë një mirëkuptim të përbashkët me partnerët tanë (koalicionin qeverisës), ne mund të marrim masa për një Kushtetutë të re në të ardhmen”, tha ai.

Erdogan shtoi se hartimi i kushtetutës së re “do të duhej të bëhej në një mënyrë transparente dhe teksti i rënë dakord do t’i nënshtrohej vullnetit të popullit”.

Erdogan kurrë nuk ka humbur një zgjedhje, por popullariteti i tij është zbehur që kur autoritetet nisën një operacion arrestimesh pas grushtit të shtetit të dështuar më 2016.

Burgosja e kundërshtarëve politikë dhe sulmi ndaj lirive civile janë shoqëruar me probleme ekonomike që analistët e kanë hedhur fajin te keqmenaxhimi financiar.

Lira turke ka rënë ndjeshëm që nga viti 2018.

Opozita politike e Turqisë i ka bërë thirrje Erdoganin të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke thënë se ai ka humbur besimin e publikut./rel

Back to top button