Erërat e forta, fshatrat e Prishtinës dhe Pejës pa rrymë
Në pjesë të tjera situata është më e qetë dhe nuk ka ndonjë prishje elektrike
Moti i ftoftë dhe erërat e forta që kanë kapluar Kosovën gjatë ditës së sotme, kanë lënë pa energji elektrike një pjesë të fshatrave të Prishtinës dhe po thuajse gjithë rajonin e Pejës për shkak të prishjeve elektrike që kanë ndodhur.
Këtë për kp e ka konfirmuar dhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, me ç’rast ka thënë se përveç në këto dy zona, në pjesë të tjera situata është më e qetë dhe nuk ka ndonjë prishje elektrike.
Buzhala ka bërë ditur se situata në qytetin e Pejës është më emergjente.
“Erërat kanë shkaktuar dëme në rajonin e Prishtinës dhe në atë të Pejës. Në pjesë të tjera situata është e qetë, nuk ka ka ndonjë prishje madhore. Do të thotë gjendja është e mirë. Problematike është shumë gjendja në Pejë, kemi diku rreth tridhjetë shtylla rryme që janë prishur. Ekipet janë të terren, vazhdimisht duke punuar, i kemi dërguar dhe ekipe shtesë prej Gjakovës dhe presim që gjatë ditës të rregullohen”, ka thënë zëdhënësi Buzhala.
Ndër fshatrat që kanë mbetur pa energji elektrike në Prishtinë janë ato të zonës më malore si Koliqi, Grashtica, Keqekolla dhe Siqeva.