Erion Veliaj drejt shkarkimit nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës

Të martën Këshilli Bashkiak do të mblidhet për të propozuar shkarkimin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj.
Prej miratimit të ndarjes së re territoriale dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore ky është rasti i parë që këshilltarët do t’i propozojnë qeverisë shkarkimin e një kryetari bashkie.
Në orën 10:00 do të mblidhet së pari komisioni i çështjeve ligjore dhe drejtësisë sociale, i cili do të shqyrtojë kërkesën e anëtarëve socialistë të këshillit bashkiak.
Kërkesa, e firmosur nga grupi i këshilltarëve të mazhorancës vendos si motiv për shkarkimin nenin 62 te ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” ku thuhet: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur: propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Keshilltarët argumentojnë se prej datës 10 shkurt që Erion Veliaj është arrestuar kryeqyteti nuk ka kryetarin e zgjedhur dhe Tirana ka nevojë për një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve.
Pasi kërkesa të votohet në komision, në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të vendosur fatin e Veliajt.
Ende është e paqartë nëse vetë Veliaj do të arrijë të sigurojë leje nga prokurori për të dalë nga burgu e për të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit.
Deri më tani burime pranë SPAK deklarojnë se asnjë kërkesë për leje nga zoti Veliaj nuk ka mbërritur.
Ndërkohë Këshilli Bashkiak në një letër drejtuar kryetari të bashkisë Erion Veliaj thekson se në rast pamundësie për të qenë present në mbledhje, ai mund ta paraqesë më shkrim qëndrimin e tij për të gjithë procedurën e shkarkimit.
Në çdo rast, duket sikur vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt do të jetë ndër vendimet e pakta që do merren në bashkinë e Tiranës me shumicë të fortë, pasi edhe PD ka lajmëruar se do të votojë pro shkarkimit.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, i takon këshillit të ministrave që të vendosë shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Pas këtij momenti topi i kalon Presidentit të Republikës, i cili cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme të cilat mbahen brenda 45 ditëve.
Por Kushtetuta i njeh të drejtën Erion Veliajt të godasë vendimin për shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese dhe ne këtë rast vendimi për shkarkimin e tij pezulllohet
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?