Ermal Krasniqi “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Çmimi i më të mirit për javën e 18-të i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Ermal Krasniqi.
Komisioni vlerësoi se sulmuesi anësor i kampionëve në fuqi ishte më i merituari në fitoren si mysafirë ndaj Gjilanit, me rezultat 3:0.
Ai përgjatë tërë ndeshjes tregoi lojë të mirë, derisa ishte vendimtar në arkëtimin e tri pikëve të reja edhe me dy gola të shënuar.
“Si çdo herë është kënaqësi të zgjedhësh më i miri i javës. Ndjenjë e mirë që u riktheva prapë gjatë këtij edicioni për ta marrë këtë shpërblim. Jam i lumtur për sukseset e klubit dhe për faktin që arrij ta ndihmoj skuadrën nga ndeshja në ndeshje në arritjen e objektivave të saj. Ballkani edhe në këtë edicion po tregon seriozitet dhe jemi në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin kampion. Falënderoj bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë stafin, pasi bashkërisht po bëjmë një punë të mrekullueshme”, ka theksuar Ermal Krasniqi./21Media

Back to top button