Escobar edhe në Beograd bën thirrje për heqjen e barrikadave

I dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për RTS tha se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur në mënyrë paqësore. Ai ka kundërshtuar shkuarjen e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, sepse është kundër, siç thotë ai, militarizimit të problemit.
Escobar ka pasur takime me lidershipin serb sot dhe një ditë më parë ishte në Prishtinë.
Ai tha se “ka përparim dhe ka arsye për optimizëm”.
“Nuk dua të paragjykoj rezultatin e negociatave, por dua të them një gjë – në kontekstin e kësaj krize, mendoj se mund të shohim jo vetëm fillimin e një zgjidhjeje, por edhe një mundësi për një dialog të ri”, tha Escobar.
Ai ka përsëritur se Washingtoni po avokon për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe se po kërkojnë mënyra për të zbatuar këtë pikë të Marrëveshjes së Brukselit.
“Për SHBA-në është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për ne është obligim sepse ne e kemi mbështetur atë proces dhe një parti politike nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme prej tij, kështu që do të kërkojmë mënyra për ta bërë këtë ide realitet”, tha Escobar duke shtuar se afati për këtë është “menjëherë”./21Media

Back to top button