Escobar: I sfidoj të gjithë që të gjejnë ndonjë gjë që kemi bërë që nuk ka shkuar në favor të Kosovës

Emisari i SHBA-së për Ballakanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se edhe në Serbi edhe në Kosovë shihen përpjekje për ta mbajtur nivelin e lartë të krizës. Ai ka shtuar se SHBA ka përkrahur Kosovën gjatë ktyre tre muajve.
“Në asnjë rast gjatë 90 ditëve të fundit, dhe i sfidoj të gjithë që të gjejnë ndonjë gjë që ne kemi bërë që nuk ka shkuar në favor të Kosovës. Tani, e vetmja gjë që kishim, e kishim paralajmëruar Kosovën në lidhje me përdorimin e ndërtesave në veri. Përdorimi i godinave ishte një përshkallëzim i panevojshëm në një kohë kur emocionet ishin të larta”, ka thënë ai të premten në konferencë për media.
Duke folur tutje për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Escobar ka thënë se nëse ajo çka Kurti po bën është zbatimi i sundimit të ligjit, ligji gjithashtu kërkon që ai të pranojë obligimet ndërkombëtare, të zbatojë vendimi e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, si dhe të krijojë Asociacionin.
“Tani kemi dëgjuar shumë se kryeministri ka këmbëngulur se gjithçka që bën është se po zbaton sundimin e ligjit. Por sundimi i ligjit gjithashtu kërkon që ai të pranojë obligimet e tij ndërkombëtare, të zbatojë vendimet e Gjykatës rreth çështjeve siç është Manastiri i Deçanit. Prandaj, nëse duam të flasim për sundimin e ligjit, Asociacioni është pjesë e tij”, ka deklaruar Escobar.
Escobar ka thënë se Kosova nuk ka pse të frikësohet nëse Asociacioni mund të ndikojë në mosfunksionimin e shtetit, pasi sipas tij, nuk ka ndonjë model evropian që mundëson një gjë të tillë.
“Tani, brenda këtij konteksti, nuk ka model evropian ku një vend fqinj mund të arrijë në kufijtë e një tjetri dhe ndikojnë në kushtetutshmërinë e tij dhe strukturën e tij ligjore dhe funksionaliteti i tij. Pra ky është qëllimi ynë. Çfarë nuk kuptojmë është se pse qeveria e Kosovës refuzon ta pranojë këtë koncept”, ka shtuar ai./21Media