Është bërë pagesa për lehonat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi se sot është bërë ekzekutimi i pagesave për lehonat, për gjithsej 2 mijë e 158 përfituese.
Përmes një shkrimi në Facebook, Murati tha se 68 aplikuese kanë pasur të dhëna të pasakta.
“Përmes eKosova do të njoftohen që të përmirësojnë të dhënat, dhe muajin vijues do të pranojnë pagesën edhe për muajin shtator, retroaktivisht, pasi të kenë përmirësuar të dhënat e nevojshme”, shkroi Murati.
Për mbështetjen e lehonave kanë mundur të aplikojnë të gjitha lehonat që kanë lindur fëmijën pas datës 1 gusht 2021 e tutje dhe janë të moshës mbi 18 vjeçe. Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për 6 muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 3 muaj radhazi.
Kurse nga 1 janari i vitit 2022, aplikimi do të hapet edhe për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje, dhe njësoj do të zgjerohen grupmoshat e fëmijëve që përfitojnë, çdo 6 muaj, derisa të mbulohen të gjitha moshat nën 16 vjeç.
Mbështetja për fëmijët e moshës 0-24 muaj do të jetë 20 euro në muaj, kurse për ata nën moshën 16 vjeç do të jetë 10 euro./21Media 

Back to top button