EULEX për RTV21: Jemi në kontakt me MPB-në e Serbisë për tre policët e Kosovës

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë se ka kërkuar dhe ka marrë informacion nga Ministria e Brendshme e Serbisë për tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe, më 14 qershor në veri të Kosovës.

Zyrtarja për Shtyp dhe Informim Publik, Donika Berisha Rizaj për portalin rtv21.tv ka thënë se EULEX është në kontakt edhe me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në lidhje me këtë rast.

“EULEX-i ka kërkuar dhe ka marrë informacion për këtë rast nga Ministria e Brendshme e Serbisë në bazë të Protokollit për bashkëpunim policor mes EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Përveç me Ministrinë e Brendshme të Serbisë, EULEX-i është në kontakt edhe me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në lidhje me këtë rast”, ka thënë EULEX për portalin rtv21.tv.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq një ditë më parë tha se Beogradi përmes një letre ka kërkuar një ekzaminim poligrafik nga EULEX për rastin e tre policëve të arrestuar të Kosovës./21Media

Back to top button