EULEX: Situatën në veri po e monitorojmë përmes pranisë së shtuar në terren

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur se është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.
Në një njoftim për media EULEX ka treguar se është duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, është bërë e ditur ndër tjera në njoftimin e EULEX-it.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zvecanit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde./21Media 
 
Back to top button