Eurobasket 2025, Kosova pa Tmusiç kundër Zvicrës, zbulohet edhe çmimi i biletave

Në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian të basketbollit, Kosova të mërkurën do të ballafaqohet me Zvicrën, ndeshje që zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Para ndeshjes, në një konferencë për media, foli trajneri Rami Hadar dhe kapiteni Dardan Berisha të cilët u shprehën optimist për rezultat pozitiv të mërkurën.

Duke folur për kundërshtarin, Hadar tha se e ka analizuar atë dhe si skuadër janë gati për të dhënë më të mirën ndaj tyre.

“Ne kërkuam njerëz të talentuar për rekrutim në skuadrën e Zvicrës aq sa mundëm. Ne nuk patëm sukses në lojën tonë aktuale… Ne i njohim lojtarët, e njohim trajnerin. Me siguri nuk do të mbulojmë gjithçka. Skuadra atje po kalon një ndryshim. Disa nga lojtarët veteranë janë larguar, kështu që skuadra po kalon përmes një ndryshimi dhe ne do të duhet të përshtatemi. Nuk mendoj se do të tregojmë veten 100% në këtë aspekt, por do të bëjmë më të mirën”, tha Hadar.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, tha se stërvitjet gjatë këtyre dy javëve nuk kanë qenë aspak të lehta, por trajneri i ri ka sjellë energji shumë pozitivë në grup dhe se gjithçka është duke shkuar mirë. Ai kërkoi mbështetjen e tifozëve në Prizren për të kërkuar fitore ndaj Zvicrës.

“Kemi ushtruar shume, jemi përgatitur maksimalisht. Nuk ka qenë e lehtë, pas sezonit që ka përfunduar kemi pasur më shumë se një muaj pushim, kështu që po besoj që tani jemi gati dhe do të japim maksimumin. Më mira ka qenë që gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur lëndime, kemi dhënë maksimumin për t’u përgatitur. Trajneri është i ri, na ka dhënë një energji dhe motivim shtesë për të pasur ndeshje sa më të mira edhe sukses sa më të madh, kështu që të mërkurën është ndeshja e parë që, po besoj tepër me rëndësi për ne dhe po shpresoj që salla do të mbushet, Dardanët do të vijnë që së bashku për të bërë një fitore të madhe për ne”, tha Berisha.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës Adriatik Raci, nga ana tjetër bëri të ditur se basketbollisti Mikaile Tmusic nuk do të jetë pjesë e Kosovës për shkak të disa problemeve familjare.

“Tmusiç ka qenë ka qenë i ftuar që nga fillimi, përgatitjet i kemi filluar para datës 1 (korrik), do të thotë procedurat e pajisjes me viza e të gjitha ato ai ka qenë i pranishëm mirëpo dy ditë para fillimit të përgatitjeve Tmusiç ka një problem për një kohë të gjatë familjar dhe me lejen tonë pasi që edhe trajneri xka biseduar me të, kemi vendosur që ta lirojmë. Ai nuk do të jetë pjesë e jona në këtë FIBA Window”, tha Raci.

Në fund, Sekretarja e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku bëri të ditur se bileta për këtë ndeshje do të dalin në shitje nga sot dhe çmimi i tyre do të jetë 3 euro dhe nuk do të ketë bileta VIP.

Back to top button