“Europa Nostra” ndalon çdo diskutim për Manastirin e Deçanit, Nora Visoka-Weller anulon ligjëratën

Në Pejë, sot po mbahet një konferencë për trashëgiminë kulturore, derisa çdo bisedë lidhur me Manastirin e Deçanit është ndaluar nga organizatorët. Kështu bëri të ditur avokatja dhe studiuesja e trashëgimisë kulturore në Universitetin e Cambridge-it, Nora Visoka-Weller, e cila deklaroi se në këtë ngjarje ishte e ftuar të flasë për politizimin e trashëgimisë kulturore, por siç theksoi asaj iu kërkua që “kurrsesi mos t’a përmend Manastirin e Deçanit!”.
Visoka-Weller e quajti të papranueshëm këtë gjë dhe theksoi se në fund u anulua ligjërata.
“Cdo koment dhe bisede mbi Manastirin e Decanit eshte i ndaluar nga organizatoret qe jane: Ilucidare Project dhe Universtieti i Leuven me disa partnere te tjere Evropian, por partner kryesor i tyre eshte EuropaNostra. Imagjinoni sa thelle ka hyre kontrolla! Ironikisht ne kete moment LIVE po flitet ne kete konference se cka po bejne Kosovaret qe te ndermjetesojne dallimet me Serbine kur flitet per trashegimine kulturore!!”, shkroi në facebook studiuesja e trashegimisë kulturore në Universitetin e Cambridge-it.
Ajo tutje shtoi se nuk mund të debatohet për kulturën dhe zhvillimin e debatit ndëretnik në bazë të trashëgimisë nëse nuk njihet e drejta elementare e lirisë së shprehjes, shkruan rtv21.tv
Organizata “Europa Nostra”, para 9 muajsh e kishte listuar Manastirin e Deçanit në mesin e “7 monumenteve më të rrezikuara”. Lidhur me këtë çështje, kjo organizatë kishte marrë letër
nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet së cilës i kishin shpalosur argumente përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
Gjykata Kushtetuese para 1 muaji ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit. Bazuar në procedurën e ndjekur nga Gjykata lidhur me monitorimin e zbatimit të vendimeve të saj, Gjykata ka konstatuar se dy Aktgjykimet përkatëse nuk janë zbatuar dhe për pasojë ka njoftuar Prokurorin e Shtetit. Gjykata ka riktheksuar se zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të./21Media

Back to top button