Evakuohet Khersoni ndërsa paralajmërohet për dimër të ashpër dhe bombardime ruse

Evakuimet vullnetare për banorët nga qyteti port i Khersonit i çliruar së fundmi janë duke u zhvilluar, me trenin e parë që transportonte 100 persona.
Treni është i destinuar për në qytetin perëndimor të Khmelnytskyi, sipas Ministrisë së Riintegrimit të Ukrainës.
Mes banorëve që “përfituan nga evakuimi falas” janë 26 fëmijë, shtatë pacientë që ishin të shtruar në spital dhe gjashtë persona me lëvizshmëri të kufizuar, thuhet në një deklaratë.
Autoritetet në Kherson po u bëjnë thirrje banorëve të largohen nga qyteti, i cili është ende kryesisht pa energji elektrike, përpara se temperaturat të bien më tej. Kherson gjithashtu është nën sulm të rinovuar që kur trupat ruse u detyruan të largoheshin nga bregu perëndimor i lumit Dnipro.
Të evakuuarit do të marrin mbështetje financiare, strehim dhe ndihmë humanitare pasi të arrijnë në Khmelnytskyi, sipas zyrtarëve të qytetit.
Autoritetet thonë se ka edhe autobusë që shkojnë nga rajoni Kherson në qytetet Odesa, Mykolaiv dhe Kryvyi Rih, ku njerëzit do të “strehohen në strehimore dhe më pas do të evakuohen në rajone më të sigurta të Ukrainës me makinë”./21Media

Back to top button