Evropa në panik nga Koronavirusi

Përhapje masive në Itali, mbërrin edhe në Austri e Kroaci

Numri i të vdekurve nga koronavirusi ka mbërritur në 2628. Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në Kinë, por numri i fataliteteve është shtuar në vendet tjera.

Edhe numri i infektimeve ka tejkaluar 79 mijë, me mbi 77 mijë të infektuar vetëm në Kinë.

Shtetet tjera që u prekën më shumë nga ky virus janë Irani e Italia. Në Iran raportohet për 16 viktima. Ndër të infektuarit është edhe zëvendësministri iranian i shëndetit, Iraj Harirchi ndërsa në Itali deri më tani nga virusi kanë vdekur 7 persona.

Më shumë se 220 raste të infektimit me koronavirus janë konfirmuar në Itali, duke e bërë vendin më të goditur në Evropë.

Megjithatë, shqetësuese është fakti se raste të koronavirusit janë raportuar edhe në Austri e Kroaci. Në Austri dy persona që jetojnë në kufi me Italinë janë infektuar. Shkak për këtë besohet të jetë afërsia gjeografike me rajonin e Lombardisë ku është numri më i madh i të infektuarve në Itali.

Në anën tjetër në Kroaci është konfirmuar një i infektuar me virusin. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri kroat Andrej Plenkoviq. Ministria e shëndetësisë në Kroaci ka deklaruar se pacienti ka vizituar Milanon nga data 19 deri më 21 shkurt, kur edhe besohet të jetë infektuar me virusin.

Rastet e para të koronavirusit janë raportuar edhe në Spanjë e në Zvicër. Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se rasti i parë që i ka ndodhur një shtetasi spanjoll është në Kataloni. Përpos këtij rasti, edhe tre të tjerë, turistë nga Gjermania, Italia dhe Britania janë konfirmuar si të infektuar në ishullin spanjoll Canary.

Ministria e Shëndetësisë e Zvicrës në anën tjetër ka konfirmuar rastin e tyre të parë me koronavirus, megjithatë nuk kanë dhënë detaje se ku është pacienti apo si e ka marrë virusin.

Kompania bioteknologjike amerikane, Moderna, ka dërguar një ngarkesë me vaksina eksperimentuese tek hulumtuesit qeveritarë amerikanë, vetëm 6 javë pasi filluan punën në një vaksinë. Vaksina e quajtur mRNA-1273 duhet të testohet para se të fillohet me shpërndarje./21Media

Back to top button