Evropa po përballet me thatësirën më të rëndë në 500 vjet

Evropa mund të jetë duke përjetuar thatësirën më të rëndë në të paktën 500 vjet, tha Komisioni Evropian më 23 gusht.
Ky reagim vjen teksa të dhënat e fundit shkencore kanë treguar se pothuajse dy e treta e kontinentit ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme sa i përket thatësisë apo për shkak të valëve të të nxehtit dhe mungesës së reshjeve të shiut.
Raporti paralajmëron se periudha e thatë do të godasë rendimentet e të korrave, do të ndezë zjarre dhe mund të zgjasë disa muaj më shumë në disa nga rajonet jugore të Evropës.
Krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur me 16% për misrin e grurit, 15% për sojën dhe 12% për luledielli, transmeton rtv21.tv.
Observatori i thatësirës është pjesë e krahut të kërkimit të Komisionit Evropian. Duke iu përgjigjur kësaj, Komisioni paralajmëroi se të dhënat paraprake sugjerojnë “thatësira aktuale ende duket të jetë më e keqja që prej të paktën 500 vjetësh”.
Vala e vazhdueshme e të nxehtit dhe mungesa e ujit kanë “krijuar një stres të paprecedentë në nivelet e ujit në të gjithë BE”, tha komisionerja e Kërkimeve, Mariya Gabriel.
Raporti paralajmëroi se pothuajse të gjithë lumenjtë e Evropës janë tharë deri në një farë mase.
Përveç ndikimit të dukshëm në varkat, lumenjtë e thatë po godasin edhe sektorin e energjisë, i cili tashmë është në krizë. Sipas raportit, energjia hidroelektrike ka rënë me 20%.
Raporti paralajmëron se situata po përkeqësohet në vende si Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Hungaria, Serbia veriore, Ukraina, Moldavia, Irlanda dhe Britania e Madhe./21Media

Back to top button