Evropol: Ende herët të spekulohet kush qëndron prapa sulmeve kibernetike

Askush deri më tash nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme

Policia evropiane Evropol njoftoi se është tepër herët të spekulohet se kush qëndron prapa sulmeve kibernetike botërore, pas dyshimeve të hedhura se pas gjithë kësaj qëndron Koreja Veriore.

Evropol bëri të ditur se nga virusi janë goditur rreth 165 mijë adresa IP, derisa më herët ishin goditur 226 mijë e 800 adresa. Jan Op Gen Ort, zëdhënës i Evropolit, tha për AFP, se sulmi i ri mund të vijë nga cilido vend dhe se hetimet janë duke u zhvilluar.

Hetuesit për siguri kibernetike po shikojnë mundësinë e lidhjes së Koresë Veriore me sulmet globale përmes ransomware që goditi mbi 100 shtete të botës, por tash për tash nuk ka fakte bindëse.

Kompani për siguri Kasperski Lab njoftoi se një pjesë e virusit WannaCry përdor të njëjtin kod sikur softueri që më herët ishte distribuuar nga grupi Lazarus. Grupi është i njohur për sulmin ndaj Sony në vitin 2014 dhe në një bankë në Bangladesh më 2016, prapa të cilave konsiderohej se qëndron Koreja Veriore.

Evropol, selia e së cilës është në Hagë, njoftoi se rreth 243 viktima të sulmit ishin detyruar t’iu paguajnë hakerëve 63 mijë dollarë (57 mijë euro).

Për sulmet e fundit kibernetike askush deri më tash nuk ka marrë përgjegjësinë, derisa hakerët kërkojnë nga 300 dollarë nga secili person i prekur nga virusi.

Back to top button