Facebook, Kurti-Bickert: Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun

Kryeministri Albin Kurti në ditën e tretë të Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka takuar Monika Bickert, zëvendëspresidente për Politika të Përmbajtjes në Meta, kompaninë amë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Kurti e njoftoi Bickert me veçoritë e politikave dhe tregut të punës e shërbimeve që e karakterizojnë Kosovën, agjendën digjitale dhe potencialin që ka vendi ynë në teknologji.

I pari i Qeverisë së vendit tonë me këtë rast e ftoi Bickert që ta vizitojë Kosovën për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjen në ngjarjet që planifikohen të organizohen në Prishtinë në fushën e teknologjisë.

Ndër çështje kryesore në takim ishte zgjerimi i mundësive të monetizimit në Facebook pasi Kosova aktualisht përballet me kufizime për të shfrytëzuar shumicën e veçorive të monetizimit në rrjetin e popullarizuar social. Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun, duke krijuar mundësi të konsiderueshme për krijuesit lokalë për të përfituar përmes platformës së Facebook-ut.

Back to top button