Faji jetim, E-kiosqet jashtë funksioni

Prej muajit shkurt në Komunën e Prishtinës nuk po funksionojnë E-kiosqet, e si pasojë e kësaj po shkaktohen radhë të gjata të njerëzve.
Para pak ditësh Komuna doli me njoftim duke thënë se nuk është problem që po përballet vetëm kjo komunë po gjithë vendi si rezultat i disa ndryshimeve që janë bërë në certifikata nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Tutje nga Komuna e Prishtinës thanë se nuk e ka në kompetencë për të ndërmarrë veprime për zgjidhjen e këtij problemi.
Lidhur me këtë nga Ministria e Punëve të Brendshme për portalin rtv21.tv bënë të ditur se ndryshimi në certifikata është bërë për arsye të sigurisë.
“Me qëllim të rritjes së sigurisë së të dhënave dhe evidentimit të saktë se cila e-kioske e ka lëshuar certifikatën, si dhe gjithashtu pas futjes në zbatim të udhëzimit të ri administrativ të gjendjes civile për (UA (MPB) Nr.01/2022 për Dokumentet e Gjendjes Civile) është vendosur që komunikimi në mes të ARC-së dhe e-kioskave që janë përgjegjësi e Komunave përkatëse të realizohet duke përdorur platformën GG (Government Gateëay) të ASHI.”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
Megjithatë kjo ministri thotë se për realizmin e shërbimeve tani në dorë punën e kanë IT e komunave.
“Nga ARC janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe sipas informacioneve që kemi gjithashtu edhe nga ASHI është realizuar pako për ofrimin e këtij shërbimi përmes GG dhe tani ka mbetur që TI e komunave përkatëse të bëjë instalimin e certifikatave të sigurisë përmes së cilave bëhet e mundur realizimi i shërbimeve në mënyrë efektive, të sigurt dhe pa gabime.”, thuhet në përgjigjen e MPJ.
Portali rtv21.tv ka kërkuar sërish sqarim nga Komuna e Prishtinës nga ku thonë se E-kiosqet nuk po funksionojnë pasi që janë ndaluar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“E-kiosqet janë jashtë funksionit për arsye se kanë ndodhur disa ndryshime në certifikata pasi që Ministria e Punëve të Brendshme ARC dhe ASHI i ka ndaluar, për këtë arsye ato ende janë jashtë funksionit edhe kemi probleme në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve për shërbime. Na duhet të theksojmë se, sipas informacioneve që i kemi janë ndërprerë shërbimet në të gjitha e-kiosqet që i posedojmë në nivel vendi. Në sistem elektronik po kemi edhe ndërprerje të njëpasnjëshme në periudha të ndryshme kohore të sistemit gjë që po e vështirëson kryerjen e shërbimeve për qytetarë në sportele.”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prishtinës.
Tutje nga kjo drejtori thonë se Komuna nuk ka kompetencë të ndërmarrë ndonjë veprim konkret. “ne veçse po e vazhdojmë ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve brenda Komunës deri në zgjidhjen e problemit.”, thuhet në përgjigjen për portalin rtv21.tv./21Media

Back to top button