Fajon: Çështjet e dialogut dhe vizave për kosovarët janë bllokuar

Fajon bënë thirrje që të veprohet

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon sot tha se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimi i vizave kanë ngecur.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi të eurodeputetëve me një delegacion të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Fajon përmes një postimi në Twitter, njoftoi se gjatë takimit, ka bërë thirrje që këto dy çështje të zgjidhen sa më shpejt.

“Unë sinqerisht kam shpresuar se të dyja çështjet – dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës si dhe çështja e vizave për qytetarët e Kosovës do të zgjidhen brenda mandatit të Parlamentit Evropian. Por, të dyja çështjet janë të bllokuara! Bëj thirrje që të veprohet nga ana e përgjegjësve”, ka shkruar Fajon.

Parlamenti Evropian në shtator të vitit 2018 votoi me shumicë votash rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit kishte thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, ecuria e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim nga Brukseli, nuk ka shënuar përparime, për shkak të vendosjes së taksës 100% nga autoritetet e Kosovës, ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Back to top button