“Faktori ndërkombëtar po e bojkoton rrugën integruese të Kosovës”

Qeveria ka refuzuar çdo kushtëzim të mundshëm nga faktori ndërkombëtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Albin Kurit ka akuzuar disa shtete të BE-së duke thënë se Kosovës po i vendosen kushte të padrejta. Ndërkohë, partitë opozitare kritikojnë Qeverinë se për shkak të mungesës së koordinimit me aleatet, Kosova po kushtëzohet në rrugën integruese. Ndërsa, analistët vlerësojnë se faktori ndërkombëtar po e bojkoton rrugën integruese të Kosovës për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti.

Mos përfshirja e Kosovës në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga partitë opozitare po vlerësohet se është rezultat i degradimit të raporteve të Qeverisë me aleatët e Kosovës. Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se Kosova po e humbë momentumin ndërkombëtar.

“Kosova pa asnjë njohje në katër vitet e fundin, përfundimisht e ka humbur momentumin ndërkombëtar të saj! Ky është çmimi që është duke paguar Kosova pa kurrfarë politike të jashtme”, ka thënë Hoxhaj.

Kryeministri, Albin Kurti, pasi refuzoi që Kosova të zbatojë kushte shtesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, akuzoi disa vende të BE-së si Franca Gjermania dhe Italia se po i vendosin kushte të padrejta Kosovës.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Pengesat në këtë organizatë i mendonim nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovës, por assesi nuk i mendonim nga shtetet demokratike”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, ish-kryeministri, Avdullah Hoti, përmes një reagimi ka akuzuar kryeministrin Kurti se për shkak të mos koordinimit me aleatët, Kosovës po i vendosen kushtëzime. Hoti ka listuar disa organizata që, sipas tij, kur Kosova kishte koordinim me faktorin ndërkombëtarë është anëtarësuar në to pa kushtëzime.

“Kur Kosova KOORDINOHET me aleatët, ANËTARËSOHET … NUK KUSHTËZOHET”, ka theksuar Hoti.

Politologu, Fidan Ukaj, vlerëson se që nga marrja e mandatit të Qeverisë Albin Kurti ka pasur tensione me faktorin ndërkombëtar. Sipas tij, Kosova dita ditë po e humbë mbështetjen në rrugën integruese.

“Që nga marrja e mandatit qeverisës nga kryeministri Kurti kemi pas tensionim të raporteve me vendet e QUNTI-it dhe SHBA-të dhe po vazhdon një raport i lënduar. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo i bie që faktori ndërkombëtar e ka bojkotuar rrugën integruese të Kosovës”, ka thënë Ukaj për rtv21.

Politologu Ukaj tha po ashtu se në ditët në vazhdim do të ketë presion shtesë të faktorit ndërkombëtar ndaj Qeverisë Kurti për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Me gjasë votimi në Këshillin e Evropës për çështjen e Kosovës do të shtyhet edhe për një vit kalendarik. Sepse nëse do të vendosej në votim do të ketë dështim dhe procesi duhet të fillojë nga fillimi. Faktori ndërkombëtar nuk do ta lejojë një gjë të tillë. Presion një presion të madh nga faktori ndërkombëtar ndaj Qeverisë që ta dërgojë draftin në Kushtetuese”, ka shtuar Ukaj.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se mos zbatimi i obligimeve të marrëveshjeve të Brukselit do ta dëmtojë rrugën integruese për të dyja vendet. Në tentim për t’i rikthyer bisedimet e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në Bruksel, emisari i BE-së Miroslav Lajçak gjatë një vizite në SHBA është takuar me ndihmës Sekretarin James O’Brien dhe Gabriel Escobar. U tha se ky takim ka shërbyer për të koordinuar strategjitë për të çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në rrugën drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive./RTV21/21Media

Back to top button