Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Është përkujtuar masakra e Mejës në Gjakovë

Në Mejë të Gjakovës të enjten u shënua 27 Prilli, Dita e Të pagjeturve, njëkohësisht përvjetori i masakrës së Mejës, njërës prej masakrave më të mëdha të bëra në Kosovë nga forcat kriminale serbe.

Në një akademi të organizuar me këtë rast, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të të pagjeturve, janë të drejta dhe se institucionet e shtetit të Kosovës po bëjnë maksimumin që çështja e të pagjeturve të zgjidhjet një herë e përgjithmonë.

“Ne shprehim dhembjen më të madhe për nënat, fëmijët, baballarët, vajzat djemtë, pleqtë dhe burrat që pësuan në Mejë, këtu e 18 vite më parë. Liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë tash e 18 vjet, nuk është e plotë pa zbardhjen e fatit të personave të vrarë, të zhdukur e masakruar, të varrosur brenda dhe jashtë Kosovës. Ne falënderojmë të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, për atë që kanë bërë deri më tani, por duhet të bëjnë edhe më tepër në të ardhmen, për zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi. Por familjet e personave të pagjetur kërkojnë me të drejtë të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të vërtetës për më të dashurit të tyre. Ata me të drejtë kërkojnë ta dinë përfundimisht se kush kanë qenë urdhërdhënësit zyrtarë dhe ekzekutuesit e krimeve në periudhën ‎‎1998-1999. E ne të gjithë e dimë që hartuesi i këtij plani p ër vrasje është Serbia, shteti i Serbisë. Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm, nuk do të ndalen asnjëherë“, tha ai.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila tha se heshtja e kësaj lëndine, ku u vranë 376 persona, i tregon gjithë botës se kush është agresori e kush është viktima.

“27 Prilli po na gjen bashkë me kujtimet dhe nderimet për masakrën më të madhe në Kosovë, ku në një ditë, në pak orë u vranë 376 persona. Sot 18 vite më pas kujtojmë ata që ishin të pambrojtur, që kishin mbetur në mëshirën e të pa mëshirshmëve. Çdo njeri që ndalet në çaste dhe reflekton mbi faktin se çfarë bëmë, ku jemi dhe ku po e drejtojmë ëndrrën e tyre për liri. Ta kuptojmë se çfarë përgjegjësie mbajmë mbi supet tona, për të realizuar deri në fund një shtet të plotë dhe të zhvilluar. Në anën tjetër, sot përgjegjësit e kësaj masakre dhe ekzekutuesit e saj, nuk janë ende në bankën e drejtësisë, në atë bankë ku njerëzit tanë shpesh u ndaluan padrejtësisht. Nuk ka zë më të fuqishëm se heshtja e kësaj lëndine. Heshtja e kësaj lëndine që i tregon gjithë botës, se kush ishte agresori, kush ishte vrasësi dhe kush janë viktimat”, tha ajo.

Në emër të Këshillit të Familjarëve të Kosovës foli Bajram Qerkini , i cili tha institucionet vendore nuk po bëjnë sa duhet trysni te ndërkombëtarët, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai nuk kurseu as kritikat për pushtetin lokal, i cili sipas tij, e ka lënë këtë lëndinë të parregulluar.

“Do t’i them do fjalë të prekura të neve familjarëve, që pak përmenden. Kemi dhe mërzi këta kur i shohim se janë në një lëndinë ende të parregulluar. Kem kërkesa shumë të mëdha. Por, disa kërkesa që ka mund t’i bëjë pushteti lokal apo pushteti i jonë nuk i ka bërë. Deri kur nuk e di. Do të vijë dita që do t’i bëjë. Institucionet tona nuk po bëjnë sa duhet presion te ndërkombëtaret”, tha ai.

Masakra e Mejës ka ndodhur më 27 maj 1999 dhe aty janë vrarë nga forcat kriminale serbe 376 shqiptarë të pafajshëm.

Back to top button