Federata e Basketbollit kërkon që të lirohen qendrat e vaksinimit

Federata e Basketbollit të Kosovës ka kërkuar që palestrat sportive në Kosovë që janë në shfrytëzim për vaksinim të lirohen, për shkak se skuadrat e të gjitha kategorive dhe të dy konkurrencave nuk po kanë qasje.
Ka mbetur edhe një muaj deri në fillim të sezonit të ri të garave në basketboll, dhe skuadrat e basketbollit në Kosovë nuk kanë mundësi që të zhvillojnë stërvitjet e tyre parasezonale.
”Federata e Basketbollit e Kosovës i kupton plotësisht institucionet shëndetësore për vaksinimin e popullsisë dhe gjendjen me pandeminë e Covid-19, megjithatë, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtoritë e Shëndetësisë në komunat përkatëse që të organizohen sa më parë në mënyrë që vaksinimi të kryhet nëpër hapësira tjera dhe kështu palestrat sportive t’u kthehen sportistëve”, shkruante në faqen zyrtare të FBK-së.
Që nga muaji mars i vitit 2020, për shkak të pandemisë Covid-19, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore si Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoritë e Shëndetësisë në komuna përkatëse, palestrat sportive janë përdorur me qëllimin për të vaksinuar popullsinë kosovare me vaksinën kundër virusit Covid-19.

Back to top button