Federata e Danimarkës jep të rejat e fundit për gjendjen e Christian Eriksenit

 
Bota e futbollit është shokuar ditën e djeshme kur në ndeshjen ndërmjet Danimarkës dhe Finlandës, e vlefshme për Grupin B të Kampionatit Evropian, mesfushori Christian Eriksen ka kolapsuar në fushë duke rënë pa ndjenja në tokë dhe duke krijuar kështu një situatë shumë të rëndë për të gjithë të pranishmit dhe jo vetëm.
Disa orë më vonë është raportuar se gjendja e Eriksenit është përmirësuar dhe se ishte jashtë rrezikut për jetë.
Federata e Futbollit të Danimarkës sot ka lëshuar një njoftim përmes të cilit ka bërë të ditur se Eriksen po vazhdon të trajtohet në spital por se gjendja e tij është stabile dhe se ai ka komunikuar personalisht me drejtues të federatës.
“Këtë mëngjes ne kemi biseduar me Christian Eriksen, i cili u bëri të fala bashkëlojtarëve. Gjendja e tij është stabile dhe ai po vazhdon të qëndrojë në spital për ekzaminime shtesë. Ekipi kombëtar dhe futbollistët kanë marrë asistencë krize, dhe për secilin lojtar do të jenë aty pas incidentit të djeshëm.”, është bërë e ditur në njoftim.
Më tutje aty ështq bërë një falënderim për të gjithë ata që kanë ndarë dhimbjen me familjarët dhe futbollistët.
“Duam t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë bashkndjerë dhimbjen, tifozët, futbollistët, familjet mbretërore nga Danimarka e Anglia, Federatat Ndërkombëtare, klubet etj. Ju inkurajojmë që të vazhdoni dërgimin e përshëndetjeve në Federatën Daneze, dhe ne ju sigurojmë që të gjitha do t’i përcjellen Christianit dhe familjes së tij.”, është shkruar tutj në njoftimin e Federatës së Futbollit të Danimarkës.

Back to top button