Fejzullahu: Faktori i efikasitetit nuk ndikon te punëtorët e KEDS-it

Anëtari i Bordit të ZRrE-së theksoi se faktori i efikasitetit nuk ndërlidhet me punëtorët

Punëtorët e KEDS-it dhe deputetët po kërkojnë që faktori i efikasiteti të mos reflektojë negativisht tek punëtorët e kësaj korporate energjetike. Kështu u deklarua gjatë mbledhjes së Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ku u diskutua lidhur me “Raportet konsultative për përcaktimin e të hyrave të lejuara maksimale” si dhe “Raportin konsultativ për përcaktimin e faktorit të efikasitetit”.

Ymer Fejzullahu, anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), tha se më 24 shtator do të shqyrtohen raportet konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale, si dhe raporti konsultativ për përcaktimin e faktorit të efikasitetit. Sipas tij, kostoja kapitale e aprovuar më 20 gusht ka qenë 8.3, ndërsa theksoi se faktori i efikasitetit nuk ndërlidhet me punëtorët. “Mesatarja e këtyre kuponëve të jetë 3.7, domosdoshmërish kostoja borxhit është reflektuar në atë 6.5 në 7.2, rrjedhimisht tek mesatarja e fonderuar e kostos kapitale në 8.3 do të thotë kjo është norma e vendosur në gusht të vitit 2018. Rregullatorit ka marrë vendim që faktori i efikasitetit për periudhën fillestare të jetë zero, ndërsa ju po e përmendi një prej komponentëve, por jo domosdoshmërish edhe atëherë edhe tani nuk është i lidhur faktori i efikasitetit me punëtor. Ndërmarrjet tona kanë ende mundësi për t’i reduktuar shpenzime operative, por jo domosdoshmërish me i reduktua shpenzime operative, të cilat lidhen me punëtorë, por edhe në shpenzime e personelit”, ka thënë ai. Fejzullahu deklaroi se humbjet aktuale të KEDS-it janë 24 për qind, ndërsa targeti i ZRrE-së është 18.8 për qind.

Zëvendëskryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Dardan Sejdiu nuk është pajtuar me këtë kosto, duke thënë se kjo kosto kapitale nuk ka asnjë lloj kuptimi financiar. “Në anën tjetër, pretendimet e KEDS-it janë që kostoja kapitale duhet të jetë 13 për qind dhe meqë ata kanë kërkuar 13, e na e kemi sjellë në 8.3, unë mendoj që kjo nuk mendoj që është në rregull. Mendoj se qasjen, fatkeqësisht, duhet ta kemi tjetër. Unë po i shikoj numrat në raport të BQK-së“, u shpreh ai. Sejdiu ka kërkuar nga ZRrE-së që të gjejë një formulë, e cila do të trajtonte brengat e punëtorëve.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami i ka akuzuar zyrtarët e pranishëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, (ZRrE), se po i mbrojnë interesat e KEDS-it në vend që t’i mbrojnë interesat e qytetarëve. Bajrami tha se pozita e drejtorit të ZRrE-së, Petrit Pepaj, është e shpikur dhe se nuk pritet prej tij që si ish-punëtor i KEDS-it të mbrojë interesat e qytetarëve. Ajo ka kërkuar garanci nga ZRrE që faktori i efikasitetit të mos ndikojë te punëtorët e kësaj korporate. “Sot kemi përfaqësues së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët po mbrojnë interesat e KEDS-it, domethënë kjo pasqyrë, këtë diskutim që po e bëjmë thotë mjaftueshëm. Ju thatë që faktori i efikasitetit domosdoshmërish ndikon zvogëlimin e numrit të punëtorëve, sindikata po kërkon garanci prej juve që nuk ka me u zvogëluar numri i punëtorëve. Në çfarë mënyre mundemi me marr ne garanci që punëtorët e KEDS-it nuk do të dëmtohen. Ne e dimë historinë edhe ju e keni shumë të qartë se sa punëtorë janë larguar nga puna, dhe sa punëtorë të rinj sot janë marrë në punë nga KEDS dhe me çfarë page paguhen”, ka thënë deputetja Bajrami.

Arsim Janova, ushtrues i kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), mohon se janë duke mbrojtur KEDS-in. Sipas tij, edhe faktori i efikasitetit nuk ka ndikuar te punëtorët pasi që as pagat e tyre nuk janë ulur.“Pagat nuk janë zbritur 5 përqindëshi ka qenë faktori i efikasitetit për dy vite ka qenë nuk ka qenë për 5 vite, për dy vite, në një mënyrë nuk është parë që ka reflektua se nuk ka as ulje të rrogave kemi na minimumin sa e kemi pagën, kemi maksimumin kemi reflektuar na e shikojmë si kosto dhe si rregullator nuk futemi në çështjet e menaxhimit mikro brenda nuk kemi të drejtë, nuk na e lejon ligji”, u shpreh ai.

Kryetari i Këshillit Grevist të punëtorëve të KEDS-it dhe nënkryetar i FSPE-së, Fehmi Pajaziti shprehu shqetësimin për punëtorët e larguar nga puna duke kërkuar të gjendet një gjuhë e përbashkët mes palëve për të tejkaluar situatën pa reflektuar te tarifat e konsumatorit.“600 punëtorë të ish distribucionit janë më pak një pjesë prej tyre të pensionuar, një pjesë prej tyre të larguar me faj apo pa faj, e vërteton gjykatësi, sepse unë nuk jam kompetent, mirëpo diku te 400 numri i punëtorëve të cilët sorollatën nëpër gjykatat tona pa fajin tuaj dhe tonin, mirëpo ne e marrim për bazë se na është thënë për dy vitet e fundit që ka reflektuar që kosto për 5 për qind ka ndikuar te largimi i punëtorëve, prandaj këtu është brenga dhe shqetësimi ynë”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal u dakorduan që para komisionit të ftojnë për raportim në fillim të tetor ministrin e Invacionit, Besim Beqaj dhe atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

Back to top button