Fermeri belg lëviz kufirin me Francën

 

Një fermer në Belgjikë ka shkaktuar një trazim pasi pa dashje ka lëvizur kufirin me Francën.

Një entuziast i historisë lokale ishte duke ecur në pyll kur vuri re se guri që shënonte kufirin midis dy vendeve ishte zhvendosur për 2.29m.

Fermeri belg, me sa duket i mërzitur nga guri në rrugën e traktorit të tij, e kishte zhvendosur atë brenda territorit francez.

Në vend që të shkaktojë trazira ndërkombëtare, incidenti është pritur me buzëqeshje në të dy anët e kufirit, transmeton rtv21.tv.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është ide e mirë,” i tha David Lavaux, kryetar i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1. Kjo lloj lëvizje shkaktoi një dhimbje koke midis pronarëve privatë të tokave, theksoi ai, e lëre më shtetet fqinje.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikës, i cili shtrihet 620 km, u vendos në bazë të Traktatit të Kortrijk, nënshkruar në vitin 1820 pas disfatës së Napoleonit në Waterloo pesë vjet më parë. Ajo u shënua nga kufij guri të cilët kanë mbetur në vend që nga ajo kohë.

“Unë isha i lumtur, qyteti im ishte më i madh,” shtoi kryetari belg me një të qeshur. “Por kryetari i bashkisë së Bousignies-sur-Roc nuk ishte dakord”.

“Ne duhet të jemi në gjendje të shmangim një luftë të re kufitare”, i tha kryetari i bashkisë së fshatit fqinj francez, Aurélie Welonek, për La Voix du Nord.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që ta kthejë gurin në vendin e tij. Nëse kjo nuk ndodh, çështja mund të përfundojë në ministrinë e jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision kufitar franko-belg, i fjetur që nga viti 1930.

Lavaux vuri në dukje se fermeri mund të përballet gjithashtu me akuza penale nëse nuk arrin të veprojë./21Media

Back to top button