Festivali i Shkathtësive Digjitale, tranzicioni digjital ndikon në përmirësimin e arsimit

Më shumë se 500 studentë dhe entuziastë të teknologjisë ishin pjesë e një numri aktivitetesh të fokusuara në ‘Tranzicionin Binjak’ drejt një të ardhmeje të qëndrueshme digjitale si pjesë e edicionit të dytë të Festivalit të Shkathtësive Digjitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se tranzicioni digjital dhe i gjelbër është mënyra optimale për të garantuar transformimin efikas të arsimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij.
“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë përherë në krye dhe në krah të nismave që mbështesin këtë objektivë, dhe Festivali i Shkathtësive Digjitale është shembull i shkëlqyer për arritjen e këtij qëllimi madhor,” tha ajo.
Ndërsa, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, tha inovacioni dhe epoka digjitale po e transformojnë botën në mënyra të paimagjinueshme.
“Nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive, ne mund të rrisim konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat e rinj”, tha Hajdari.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog tha se Festivali i Shkathtësive Digjitale është një mundësi për të eksploruar tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
“Këto tranzicione nuk janë vetëm rrugë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por janë thellësisht të ndërlidhura. Inovacionet digjitale mund të zhbllokojnë efikasitetin në energjinë e ripërtërishme, bujqësinë e qëndrueshme dhe modelet ekonomike qarkore. BE është krenar që e mbështet Kosovën në këtë rrugëtim, duke nxitur rritjen ekonomike, sociale dhe mjedisore. Mezi pres të shoh idetë dhe bashkëpunimet inovative që do të dalin nga ky festival,”tha ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi se Festivali vjetor i Shkathtësive Digjitale është një mundësi e shkëlqyer, ku mendjet e zgjuara me bazë ndërdisiplinore nga e gjithë Kosova dhe më gjerë takohen, mësojnë së bashku dhe krijojnë inovacione.
Programi i gjerë i festivalit përfshin diskutime të hollësishme, punëtori gjithëpërfshirëse dhe prezantime frymëzuese që janë përshtatur për pjesëmarrësit duke përfshirë profesionistë, biznese dhe studentë.
Festivali organizohet përmes komponentit Digjital për Biznesin, i zbatuar në kuadër të Qendrës së Transformimit Digjital të ITP-së si bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria gjermane.