Festohet Fitër Bajrami, bëhet thirrje për unitet e solidaritet

(Lajm i përditësuar)

Ipeshkvi i Kosovës uron myslimanët: Shqiptarët këtë muaj kanë pasur edhe Pashkë edhe Bajram

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka qenë i pari që ka shkuar për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Ai deklaroi se shqiptarët këtë muaj kanë pasur edhe Pashkë, edhe Bajram, dhe së bashku duhet të jetojnë në mirëkuptim e unitet.

“Jam i kënaqur që jam këtu për të uruar kryemyftiun Tërnava për t’i uruar festën e Bajramit e së bashku edhe të gjithë besimtarëve të besimit islam. Këtë muaj kemi agjëruar të gjithë sepse kemi pasur edhe festën e Pashkëve, edhe festën e Bajramit kështu që besoj të gjithë populli është me uratë, me lutje dhe me agjërim dhe të kemi mundësi të jetojmë në paqe, dashuri, mirëkuptim, në pajtim, në falje dhe në unitet siç ka thënë myftiu Tërnava në fjalën e tij të Bajramit”, deklaroi Gjergji.

Pas ceremonisë së faljes së Bajramit të Madh, Bashkësia Islame e Kosovës ka hapur dyert për të pritur mysafirë.

Konjufca: Le të ndajmë mikpritjen dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu si ëmbëlsirat për Bajram

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca iu ka uruar besimtarët e fesë islame Fitër Bajramin.

Ai  porositi që në këto ditë paqja, harmonia dhe lumturia duhet të jenë prioriteti ynë kryesor.

“Duke e vizituar dhe përqafuar njëri-tjetrin, le të ndajmë mikpritjen, dashurinë dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu siç ndajmë edhe ëmbëlsirat. Shpresojmë që kjo festë të sjellë më shumë gëzim, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjen tuaj. Të udhëhequr nga kjo dashuri, të përkushtohemi edhe më shumë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë. Gëzuar Bajramin!”

Abdixhku uron Bajramin 

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku  uron të gjithë besimtarët myslimanë.

“Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjerim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit.Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë.Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë. Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë!”

Tahiri uron myslimanët për festë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në emër të partisë së tij nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ai tha se festat si kjo për besimtarët myslimanë janë ditë bashkimi dhe momente për të reflektuar.

“Bashkërisht me kolegë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot patëm nderin që të urojmë Myftiun e Kosovës për festën e Fitër Bajramit përmes myftiut dhe Bashkësisë Islame të Kosovës të urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky muaj është muaj që simbolizon solidaritetin dhe përkushtimin për të gjithë ata njerëz që kanë agjëruar gjatë këtij muaji por edhe njëkohësisht edhe të gjithë ata që kanë ndihmuar qytetarët e Kosovës, popullin shqiptar, në këtë muaj të solidaritetit. Për ne është shumë me rëndësi që këto festa janë festa që na bashkojnë por njëkohësisht na vendosin në momente për të reflektuar”, deklaroi Tahiri.

Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, Bashkësia Islame e Kosovës ka hapur dyert për të pritur mysafirë që duan të urojnë me rastin e kësaj feste.

Festohet Fitër Bajrami, bëhet thirrje për unitet e solidaritet

Kurti: BIK ka pasur rol të madh në çështjen kombëtare, kemi 37 hoxhallarë dëshmorë

Kryeministri Albin Kurti nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit. Nga aty, kreu i ekzekutivit kujtoi edhe kontributin e BIK-ut në luftën për çlirimin e vendit.

Kurti tha se, muaji i shenjtë i Ramazanit, që paraprin festës së Bajramit të Madh, ka shtuar solidaritetin në popull, por uroi që kjo të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.

“Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj të gjithë vitit. U dëshiroj festë të gëzuar, u dëshiroj çaste të lumtura në sofrat e tyre të gjithë besimtarëve, Zoti ua bëftë kabull të gjithë agjëruesve”, deklaroi Kurti.
Kurti u kujdes që, siç tha ai, të kujtojë, kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në luftën e fundit çlirimtare.
Kryeministri shtoi se BIK, pjesëtarët e të cilës u përballën me kritika për përdhosje të flamurit kombëtar pas paraqitjeve në rrjete sociale, ka lëshuar hapësirat e saj për të strehuar veprimtarë politikë.

Ai tha se në Medresenë Alaudin janë mbajtur tubime e diskutime e për rrjedhojë janë marrë vendime të rëndësishme në vitet ’90-ta. Gjithashtu, ai përmendi edhe hoxhallarët që kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit.

“E dimë se nga lufta e fundit çlirimtare 37 hoxhallarë, imamë, i kemi dëshmorë të kombit sot dhe në këtë stinën e pranverës ku për çdo ditë kujtojmë masakra dhe beteja na duhet të ecim midis varreve ku ka emra të martirëve e dëshmorëve në mesin e të cilëve aq shumë janë edhe imamë e aq shumë janë edhe besimtarë. Kjo tregon për rolin e madh që ka pasur Bashkësia Islame për çështjen tonë kombëtare dhe ne jemi përherë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti.

Shefi i BE-së në Kosovë, uron besimtarët në gjuhën shqipe

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Ai komunitetin mysliman nw Kosovw e ka uruar edhe nw gjuhwn shqipe.

“Në vijim të muajit të agjërimit, vetëreflektimit, ndarjes dhe sakrificës, dua t’ju uroj të gjithë anëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë festën e Bajramit. Me fat Bajrami”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Haradinaj uron Bajramin: T’i mbajmë zemrat e pastra

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Festa e Fitër Bajramit nuk është thjeshtë një festë fetare. Është një ditë që na përkujton edhe njëherë rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit. Na përkujton se sa e rëndësishme është t’i mbajmë zemrat e pastra dhe t’i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme”, ka thënë Haradinaj.

Hovenier e uron Fitër Bajramin në katër gjuhë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Urimin e tij e ka bërë në katër gjuhë dhe në gjuhën shqipe.

“Për të gjithë ata që po festojnë Bajramin në Kosovë dhe në mbarë botën: Me Fat Fitër Bajrami, Bajram Šerif Mubarek Olsun, Bayramınız Kutlu Olsun, Eid Mubarak”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Osmani uron Bajramin : Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar festën e Fitër Bajramit, me lutjet që kjo ditë të shërbejë për t’i ofruar njerëzit ndërmjet vete.

Uroj që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

“Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza. Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë.U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!Me fat Fitër Bajramin!”, thuhet në urimin e presidentes.

Kurti: Fitër Bajrami sjelltë mirësie e begati në shtetin tonë

Kryeministri Albin Kurti uroi myslimanët me rastin e Fitër Bjaramit duke uruar që kjo kremtë të sjellë mirësi e begati në shtëpitë e besimtarëve por edhe në shtetin e Kosovës.

“Me fat Fitër Bajrami! Pas një muaji përkushtim e sakrificë për lartësim shpirtëror, uroj që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe! Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë”, shkroi Kurti në rrjete sociale.

Ndryshe, pas muajit të rëndësishëm të besimtarëve myslimanë, Ramazanit, që përfundoi ditën e enjte, sot të njëjtit në të gjithë botën kremtojnë ditën e parë të Bajramit të Madh.

Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Tërnava: Braktisja e vendit nuk është zgjidhje, e kemi obligim angazhimin për shtetin

Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot (e enjte) ditën e parë të Fiter Bajrmit. Manifestimi qendror për këtë festë në vend u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ndërsa u përcollën mesazhe paqeje, për angazhim në të mirë të Republikës dhe thirrje për të mos braktisur vendin.

Ne mesazhin e tij pas faljes së Bajramit të Madh, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se Bajrami i Madh sjellë gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.

“Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër”, deklaroi Tërnava.

Tërnava shtoi se mësimet e porositë gjatë muajit Ramazanit duhet të na shoqërojnë edhe muajve të tjerë.

Sipas tij, në krye të këtyre mësimeve është kujdesi ndaj familjes, vlerë që sipas Tërnavës, duhet ruajtur me xhelozi.

“Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike. Familja tek populli ynë në vazhdimësi ka qenë institucioni më i besuar dhe më i çmuar vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi dhe duhet kultivuar ato te brezat e rinj”, vijoi Tërnava.

Gjatë fjalës së tij, Tërnava deklaroi se të gjithë e kemi obligim angazhimin për shtetin e Kosovës në mënyrë që vendi të bëhet më i mirë.

Ai u shpreh se falë sakrificës shekullore të popullit erdhi liria dhe pavarësia por tashmë mbetet tek brezat aktualë që Kosova të jetë Republika ku duan të jenë të gjithë kategoritë e shoqërisë.

“E kemi obligim që ta ruajmë dhe ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai. Ka dashur Zoti që tash e disa vite vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, mirëpo është obligim ynë që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me persepektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanët rriten të sigurtë e të marrin edukim e arsim cilësor, një vend ku sigurohet vende pune e jetë të dinjitetshme për bijtë e bijat tona… Falë sakrificës shekullore të popullit tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por si qytetarë të këtij vendi e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjithë kategoritë e shoqërisë”, vijoi Tërnava.

Tërnava u ndal edhe tek një fenomen tjetër shqetësues, e që është braktisja e vendit nga të rinjtë dhe ekspertë të fushave të ndryshëm.

Myftiu i Kosovës tha se braktisja nuk është zgjidhje dhe se qëllimi kryesor në jetë nuk është vetëm ana materiale. Ai tha se e kemi obligim të ndërtojmë vendin.

“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet. Vendi ynë merr peshë e kuptim vetëm me bijtë e bijat e saj atëherë kur i kemi shtëpitë tona plot, me bijë e bija, me nipa e mbesa, kur çerdhet e shkollat t’i kemi në funksion të edukimit e mësimit se në të kundërtën i mbetemi borxh vendit dhe brezave që vijnë. E kemi obligim ta duam dhe ta ndërtojmë vendin”, tha Tërnava.

Manifestimi për festën e Fitër – Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit pati ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

Namazi i Fitër – Bajramit u fal në orën 06:23, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

​Besimtarët myslimanë kremtojnë Fitër Bajramin

Pas muajit të rëndësishëm të besimtarëve myslimanë, Ramazanit, që përfundoi ditën e enjte, sot të njëjtit në të gjithë botën kremtojnë ditën e parë të Bajramit të Madh.

Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi filloi në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit u mbajt ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

Namazi i Fitër – Bajramit u fal në orën 06:23, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, sot (e enjte) Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, “duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona”.

 

Back to top button