Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetai, ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajram.

Ka dërguar porosinë, se kjo festë e madhe është simbol i kryerjes së amanetit të besuar nga i madhi Zot.

Ka vlerësuar, se këtë Ramazan, besimtarët kanë bërë luftë të dyfishtë, kundër shejtanit dhe virusit COVID-19.

“Ky Ramazan i bekuar, ishte bashkë me ne në momentet më të vështira që solli sëmundja e rrezikshme COVID-19 dhe bashkëjetoi me ne gjatë tërë ditëve të agjërimit. Kjo bëri që të jetë një vlerë edhe më e madhe për besimtarin, sepse ne bëmë një luftë të dyfishtë, ajo kundër shejtanit të mallkuar dhe tjetra në përpjekjet tona për të dhënë kontribut në zbehjen dhe evitimin e prekjes nga virusi. Andaj, sot po i drejtohemi të Madhit Zot me lutje të pranojë agjërimin tonë, ibadetet tona, duatë tona, lëmoshat tona, të gëzojë zemrat e të gjithë njerëzve anembanë globit, t’i shpëtojë dhe t’i ngritë të dobëtit, t’i pajtojë zemrat e njerëzve me qëllim për të jetuar në paqe e harmoni, t’i shërojë zemrat dhe plagët e familjeve të viktimave që solli sëmundja e rrezikshme dhe të forcojë unitetin tonë për të mirën e familjeve tona, popullit tonë dhe gjithë gjinisë njerëzore”, ka thënë Fetai./TV21