FFK reagon pas sulmit ndaj portierit të Ballkanit

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj portierit të Ballkanit Stivi Frashëri gjatë ndeshjes derbi të javës së 27-të kundër Gjilanit.
Frashëri pësoi lëndime fizike pasi disa tifozë të Gjilanit zbritën në fushë dhe e sulmuan atë më grushte e shqelma dhe për pasojë ai përfundoi në spitalin e Gjilanit.
FFK ka bërë të ditur se në lidhje me rastin i mbetet tani Komisioneve të kësaj federate që të ndërmarrin veprimet e duhura.
“Derbi i javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit është ndëprerë pak sekonda para përfundimit të kohës shtesë. Ndërprerja ka ardhur si pasojë e sulmit fizik që është bërë nga shikuesit e skuadrës vendase ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Sulmi ndodhi në momentin që Gjilani arriti të barazojë rezultatin me golin e portierit Enea Koliqi. Ky i fundit shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Yll Hoxhës. Goli i shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes bëri që tifozët gjilanas të hyjnë në fushën e lojës për të festuar, e ku dy prej tyre e bënë një veprim qyqar dhe huligan, duke e sulmuar portierin mysafir. Si pasojë e dhunës së shfaqur ndaj tij, ai, me autoambulancë u dërgua për trajtim të mëtutjeshëm në spital. Si rrjedhojë ndeshja u ndërpre dhe tani i mbetet Komisioneve të FFK-së për ta shqyrtuar rastin dhe për të marrë veprimet rreth këtij incidenti”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Lidhur me këtë Policia ka hapur rast për rrahjen e portierit në Gjilan.
Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka thënë se ende nuk ka të arrestuar në lidhje me rastin./21Media

Back to top button