Fillon edicioni i shtatë i Panairit të Karrierës

“Komuniko virtualisht, krijo mundësitë e zhvillimit të karrierës”, janë motot e këtij edicioni

Në oborrin e Rektoratit është hapur edicioni i shtatë i Panairit të Karrierës organizuar nga Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Qendra për Zhvillim të Karrierës e UP-së.

Në këtë panair po marrin pjesë kompani, institucione dhe organizata të ndryshme të cilat po ofrojnë për studentët, informacione rreth punësimit, punës praktike, trajnimeve, bursave etj.

Në hapjen zyrtare të Panairit të Karrierës, Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema tha se Universiteti i Prishtinës përkundër vështirësive që ka, ekzistojnë kapacitete solide në zhvillim.
“Këto kontakte do të mundësojnë një angazhim në punë ose punë praktike të studentëve tanë por edhe punë në orientim për zhvillim në karrierë përmes mësimit joformal siç janë kurset, trajnimet që do të jenë pikërisht nga kjo platformë”, tha ai.

Më tej, Dema theksoi se kjo platformë shërben si mundësi që studentët të tregojnë përgatitjen e tyre profesionale të përfituar gjatë studimeve.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina tha se platforma virtuale mundëson që studentët në kohë reale të marrin informatat dhe të njihen me mundësitë që ofron tregu i punës.
“Platforma virtuale është një mundësi e re që në kohë reale studentët dhe të diplomuarit të marrin informata për mundësit që ofron tregu i punës dhe për këshillat për edukim dhe orientim në karrierë. Moto e këtij edicioni qëndron: komuniko virtualisht, krijo mundësitë e zhvillimit të karrierës”, u shpreh ajo.

Nga institucionet prezentë në panairin e sotëm ishin edhe përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që kishin ardhur për të informuar studentët me mundësitë që ofrohen për ta dhe të diplomuarit .

Panairi Virtual i Karrierës do të zgjas tri ditë më ç’rast studentët do të kenë rastin të njihen nga afër me mundësitë që ndërmarrjet ofrojnë ta.

Back to top button