Fillon largimi i barrikadave në Jarinjë dhe Bërnjak

Këtë të shtunë ka filluar zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë vendosur pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë.
Ekipiet e RTV21 që janë duke qëndruar këto dy pika kufitare kanë raportuar se serbët lokalë, bashkë me disa mjete të rënda të cilët kanë bllokuar rrugën tash e 13 ditë kanë filluar të largohen nga këto hapësira.
Po ashtu, ekipi i RTV21 nga vendi i ngjarjes ka raportuar se njëra korsi e rrugës e cila dërgon në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, është hapur.

Sipas marrëveshjes të arritur ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, sot në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa që nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia do të përdorin stikersat në vend të ndërrimit të tabelave./21Media

Back to top button