Fillon numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilat u takojnë rundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që u mbajt të dielën, më 14 nëntor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka treguar se gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
“Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990. Arsyet e refuzimit mund të kategorizohen në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar. Pra, në vazhdim do të numërohen 9,313 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe votave nga jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.
Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetar të 17 Komunave, që janë mbajtur më 17 tetor./21Media

Back to top button