Fillon numërimi mbrapsht për zgjedhjen e presidentit të ri

Që nga dje filloi numërimi mbrapsht për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 5 mars, sipas afateve kushtetuese, çdo tentim për zgjedhjen e presidentit të ri do të ishte antikushtetues. Ndërkohë, partitë politike dhe presidentja aktuale, e cila ka shfaqur synimet edhe për një mandat tjetër, ende nuk kanë filluar zyrtarisht bisedimet për këtë çështje.

Kushtetuta e Kosovës, neni 86 për zgjedhjen e presidentit, përcakton se presidenti i ri duhet të zgjedhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Ndërkohë që mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se përfaqësuesit politikë po luajnë me limitet e afateve kohore të përcaktuara në Kushtetutë. Ai vlerëson se çdo tentim për zgjedhjen e presidentit pas 5 marsit do të ishte antikushtetues.

“Çdo zgjedhje eventuale e presidentit të ri jashtë këtyre afateve prodhon një president që është zgjedhur në shpërputhje me dispozitat kushtetuese. Kjo çështje pastaj duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Natyrisht që ende ka kohë, mirëpo jemi afër limiteve kohore, për faktin se Kushtetuta, neni 86, paragrafi 2, në mënyrë eksplicite përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.”, tha Bajraktari për rtv21

Aktualisht, partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje, nuk e ka bërë të ditur nëse do ta mbështesë Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër si presidente. Kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri nuk është prioritet, duke i dhënë përparësi konstituimit të Kuvendit, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Kurti ia ka lënë në dorë zonjës Osmani që të sigurojë 80 votat e nevojshme.

“Kësaj radhe ne i kemi 61 vota, por nuk i kemi 80.”

Në fakt, zgjedhja e presidentit të ri po shihet gati e pamundshme pa një marrëveshje politike për një emër konsensual, pasi një pjesë e madhe e zyrtarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë deklaruar kundër Vjosa Osmanit edhe për një mandat.

Duke u thirrur në Kushtetutë dhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, përfaqësuesi ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, sqaron hapat ligjorë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

“Në raundin e parë dhe në raundin e dytë është obligative që në sallë të jenë 80 deputetë të pranishëm dhe këta 80 deputetë duhet të votojnë në kuti të votimit. Në rast se asnjëri prej kandidatëve që është në garë nuk i merr 80 vota, atëherë konsiderohet se nuk është zgjedhur president. Në raundin e tretë, edhe sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, mjafton që të jenë 61 deputetë të pranishëm dhe me 61 vota në kuti, ai konsiderohet president i zgjedhur i shtetit.”, u shpreh Bugaqku për rtv21

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit të ri në garë duhet të jenë më shumë se një kandidat./RTV21/21Media

Back to top button