Filmi horror “Men” në kinematë britanike nga 1 qershori
Filmi i ri i regjisorit aglez Alex Garland, i titulluar “Men”, është më tepër se vetëm një film me skena të frikshme. Ai po ashtu përshkruan botën toksike të mashkullit.
Në këtë film, aktorja Jessie Buckley luan rolin e Harper, një gruaje, e cila strehohet në një fshat pas vdekjes së burrit të saj.
Kjo aktore në një intervistë për AP ka treguar se në këtë projekt vendosi të marrë pjesë pasi që Garland realizon filma që ajo i preferon, që kanë tregime vërtetë intriguese. Ajo ka treguar se edhe skenari i filmit “Men” e ka intriguar. Sipas saj, ky film kishte aq punë sa që nuk dinte as nga të fillonte, e as kah të shkonte. Megjithatë çdo gjë ka shkuar mirë, ka thënë ajo.
Aktorja Buckley, në filmin “Men” luan me aktorin Rory Kinnear, i cili paraqitet me disa personazhe, më saktësisht dhjetë prej tyre.
Ky aktor ka thënë se paraqitjen me tërë këto role e ka marrë shumë seriozisht. Personazhet e tij më tepër i shërbejnë tregimit të Harper dhe udhëtimit të saj si e pikëlluar, ka thënë ai.
Aktorja Jessie Buckley, në pyetjen se si ka kaluar gjatë realizimit të filmit “Men” me regjsorin Garland, ka thënë se ai vazhdon të sjellë risi çdo herë, se vazhdimisht nxjerr diçka që duhet të realizojë, se për të asnjëherë nuk mjafton puna që bëhet. Kështu ndodh edhe me filmin “Men”, ka thënë ajo. Sipas saj, personazhi i Harper ka një sens të mirë për jetën, se ajo përgatitet të vazhdojë me jetën e saj, edhe pse është e frikshme.
Filmi horror “Men” nuk është për persona që kanë zemër të dobët. Me këtë rast, edhe Buckley e Kinnear kanë thënë se asnjëri prej tyre nuk janë adhurues të filmave horror.
Buckley ka thënë se nuk ka shikuar filma horror që prej se ishte tetë vjeçe. Ajo ka treguar se me babain e saj kanë shikuar filmin “Texas Chainsaw Massacre” për Halloween, por se janë detyruar ta lënë në gjysmë. Kështu, ajo është traumatizuar. Pastaj ka kujtuar momentet kur babai i saj ka ndalur veturën pranë malit, dhe i ka ndjekur fëmijët rreth tij. Kjo ishte traumatizuese për të, ka thënë Buckley.
Kinnear ka treguar se filmi nga i cili është friësuar ishte “Friday the 13th”. Ai ka treguar se ka qëndruar në dhomën pranë sallës së shfaqjes sepse është frikësuar shumë.
Filmi “Men” do të lansohet në kinematë britanike me 1 qershor 2022./21Media