Fjala hapi fushatën zgjedhore
Kelmendi tha se subjekti që ai udhëheq do të zhvillojë fushatën ndryshe nga partitë e tjera
Subjekti politik Fjala, hapi fushatën zgjedhore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me ç’rast aty foli kryetari i kësaj partie Gëzim Kelmendi.
Kelmendi tha se subjekti që ai udhëheq do të zhvillojë fushatën ndryshe nga partitë e tjera e siç tha ai, duke mos organizuar tubime me qytetarë.
Kjo për arsye se siç tha Kelmendi, qytetarët janë lodhur nga tubime të tilla me premtime boshe.
Në hapje të fushatës u tha se kandidatët e Fjalës do të takohen me qytetarët në mënyra të përveçme, ku secili prej tyre do të takojë qytetarë të rastit.
Sipas Kelmendit, Fjala në programin e saj ka tri pika kryesore që njëherit janë edhe gjithëpërfshirëse, e ato janë: zhvillimi ekonomik, sundimi i drejtësisë si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndryshe, FJALA në këto zgjedhje do të garojë me 110 kandidatë, ekspert dhe magjistra të fushave të ndryshme.