“Flaka e Janarit” nga sivjet në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore

 

Në Gjilan zyrtarisht sot ka nisur manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2021”, që është edicioni jubilar i 30-i me radhë. Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Ai në hapje pasi ka përmendur të gjitha përpjekjet për liri në janarët e kuq ndër vite, ka theksuar se pikërisht 30 vjet më parë ka nisur rrugëtimin “Flaka e Janarit”, kurse nga ky vit ky manifestim hynë në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Haziri, siç është informuar në komunikatë, ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri.

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta quar vendin përpara”, ka thënë Haziri, duke shtuar se sivjet në kushte pandemie, ky teatër do të ofrojë  kulturë e respekt, por gjithnjë vlera të mirëfillta kulturore.

Ndërsa, ministrja e kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që kanë sjellur lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë.

Sipas Dumoshit, “Flaka e Janarit” meriton mbështetje të ministrisë.

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari.

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri.

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, i cili, siç është theksuar, ka thënë se u bënë 39 vjet kur kanë rënë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur kanë rënë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur kanë rënë shumë heronjë duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishin qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë.

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Izmi Zeka.

Në manifestimin jubilar, të 30-in me radhë janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik është nderuar Beqir Musliu si dhe Filharmonia e Kosovës.

Ndërkohë, në koncertin artistik është paraqitur Filarmonia e Kosovës./21Media

Back to top button