Flamujt e Ukrainës bllokojnë rrugën e ambasadorit rus në Ditën e Fitores

Një instalacion i madh që përfaqëson mizoritë ruse në Ukrainë, bllokoi rrugën e ambasadorit rus në Poloni, teksa ai kërkonte të martën të vendoste një kurorë me lule në një memorial të Varshavës për ushtarët sovjetikë në festën e Ditës së Fitores së Rusisë .

Instalimi përfshinte qindra flamuj ukrainas të valëvitur blu dhe të verdhë dhe kryqe që shërbenin si varre simbolike për ukrainasit e vrarë nga rusët gjatë luftës në shkallë të gjerë të nisur nga Moska vitin e kaluar.

Një pellg gjaku fallco poshtë kryqeve nënvizoi mesazhin e ashpër të protestës, e cila u krijua nga Euromaidan-Warszawa, një nismë qytetare që mbështet Ukrainën.

Organizatorja Viktoria Pogrebniak tha se instalimi, i vendosur për ditën në hyrje të vendit përkujtimor të Ushtrisë së Kuqe, kishte për qëllim të luftonte kundër propagandës ruse dhe “t’i tregonte botës pamjen reale”.

“Ne jemi të bombarduar, jemi vrarë, jemi përdhunuar”, tha Pogrebniak. “Ne jemi vrarë vetëm sepse jemi ukrainas.”, raporton AP përcjell portali rtv21.tv

Ajo tha se ambasadori dhe diplomatët e tjerë rusë do të duhet të ecin mbi kufomat simbolike të ukrainasve “ose do të duhet të kalojnë nëpër shkurre”, nëse duan të arrijnë në memorial.

Me rrugën e tij të bllokuar, ambasadori Sergej Andreev në vend të kësaj la një kurorë me karafila të kuq përpara qindra flamujve ukrainas ndërsa altoparlantët shpërthyen tingujt e bombave dhe sirenave ajrore.

Instalimi përfshinte gjithashtu modele të mëdha të ndërtesave të bombarduara dhe emrat e qyteteve të Ukrainës ku Rusia ka kryer mizori kundër ukrainasve: Bucha, Irpin, Mariupol, Bakhmut.

Protestuesit rrethuan Andreev dhe shoqëruesit e tij dhe bërtitën “Rusistët”, një fyerje që ndërthur fjalët “rusë” dhe “fashistë”./21Media

 

Back to top button