FMN tregon shqetësimet për projektbuxhetin 2019

Projektbuxheti 2019 si dhe ecuritë e buxhetit kanë qenë tema diskutimi

Me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe udhëheqësja e Misionit të FMN-së për Kosovë, Stephanie Eble kanë mbajtur konferencë për media.

Ministri Hamza ka thënë se me FMN kanë qenë tema të diskutimit, projektbuxheti 2019, si dhe për ecuritë e buxhetit të vitit 2018.

“Sa i përket buxhetit 2019 e kemi diskutuar në detaje, për pagat deri te bilanci bankar. Situata aktuale makrofiskale na bënë mjaft të kujdesshëm. Kosova ka stabilitet makrofsikal dhe është në pozitë të mirë fiskale”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, projektbuxheti për 2019 është bazuar në rritjen ekonomike, përderisa tutje ka paralajmëruar rritje të pensioneve.

Ndërsa për projektbuxhetin 2019, FMN ka pasur disa shqetësime.

Kreu i MF-së tha se presin që buxheti aktual të përmbushet në masë 98-99 për qind, dhe pohoi se presin që deficiti buxhetor te jetë më pak se 2 për qind deri në fund të vitit. Dinamika e mirë e të hyrave, sipas tij, mundëson që të kryhen të gjitha obligimet ligjore dhe kontraktuale.

Ndërsa, duke folur për projektbuxhetin e vitit 2019 që pritet të jetë 2.3 miliardë euro, Hamza vlerësoi se dallimet në parashikimet ekonomike mes FMN-së dhe Qeverisë janë shumë të vogla, rreth 30 milionë euro.

“Sa i përket projeksioneve ekonomike për periudhën e ardhshme, jemi të përafërt, FMN, është pak më ulët se ne. Ne e mirëkuptojmë dhe e vlerësojmë këtë. E kuptojmë edhe aspektin profesional, edhe natyrën e kujdesshme të FMN-së në parashikimet, por dallimet janë shumë simbolike. Gjithashtu kemi dallime simbolike jo domethënëse që nuk e ndikojnë as deficitin buxhetor, as bilancin bankar. Si qeveri e kemi aprovua buxhetin me një diferencë jo domethënëse, është shumë simbolike. Dallimin e kemi diku përreth 30 milionë euro që duhet të jenë të hyrat më të vogëli të planifikuara”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se të hyrat e rregullta të buxhetit do të jenë 1 miliardë e 949 milionë euro, 140 milionë janë të parapara të rrjedhin nga procesi i likuidimit përmes AKP-së dhe 120 milionë euro përmes klauzolës së investimeve.

Udhëheqësja e Misionit të FMN-së, Eble ka thënë se presin rritje ekonomike në 4 për qind, që sipas saj është rritja më e lartë në rajon.

Mirëpo, ka thënë se përsëri mbetet një rritje e cila nuk e zë hapin e zhvillimit të vendeve në rajon.

“I kemi disa shqetësime për projketbuxhetin për vitin 2019, për të hyrat dhe fondin për veteranët. Nga ana e shpenzimeve për kategoritë sociale duhet të vazhdojë reforma”, ka theksuar Eble duke shtuar se projektligji për pagat duhet të rishqyrtohet ngase nuk trajton “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.

Stephanie Eble ka thënë se Kosova vazhdon të ketë stabilitet ekonomik që është parakusht për të rritur vendet e punës.

Ajo tha se FMN pret që ekonomia e Kosovës të rritet në rreth 4 për qind këtë vit, që është ndër më të lartat në rajon, ndërsa kjo rritje pritet të jetë më e lartë në vitin e ardhshëm. Megjithatë, përfaqësues të FMN-së kërkojnë reforma për veteranët e luftës dhe pohuan se shfrytëzimi i mjeteve nga privatizimi nuk janë produktive.

“Megjithatë, i kemi disa shqetësime sa i përket buxhetit siç e theksoi edhe vetë ministri. Ai mbështetet në përmirësimin në të hyrat nga ATK dhe supozon që reformat e shtyra qe sa kohë të veteranëve të luftës do të vazhdojnë, do të realizohen. Janë shtyrë përpara disa iniciativa që nuk janë produktive që është shfrytëzimi i të hyrave nga privatizimi sjellin buxhetin total gatë në 11 për qind të GDP-së dhe kjo rrezikon që paratë do të shkojnë në projekte pa realizueshmëri të dëshmuar. I kemi diskutuar të gjitha këto rreziqe me Qeverinë dhe kjo ka shprehur përkushtim që do t’i trajtojë të gjitha këto rreziqe”, ka thënë Eble.

Ajo kërkoi përshpejtimin e reformave në ATK për të luftuar informalitetin dhe  uljen e stokut të lartë të borxhit të pa mbledhur tatimor.

Elbe po ashtu ka kërkuar që projektligji për pagat të rishqyrtohet, pasi përveç që ka kosto të lartë, nuk trajton “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.

Ajo ka thënë se sektori bankar duhet të përmirësohet edhe më tej për kredidhënie.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti me këtë rast ka thënë se sektori financiar vazhdon të ketë rritje.

Back to top button