Ndërtimtaria, sektori më i rrezikshëm për punë

Besnik Muçaj tha se shteti nuk ka përdorur mekanizmat për zbatimin e kontratave

Numri i vogël i inspektorëve dhe mos zbatimi i kontratave kolektive janë shfaqur si shqetësime në tryezën e organizuar në kuadrin e platformës ‘Kosova që duam’ në fushën “punë dhe jetë të dinjitetshme”, KLGI dhe Fondacioni FriedrichEbertStiftung (FES) me temën “Mekanizmat Institucional për mbrojtjen e punëtorëve”.

Besnik Muçaj nga KLGI tha se mungesa e një standardizimi të inspektoratit pengon edhe bizneset. Sipas tij shteti nuk i ka përdorur të gjitha mekanizmat e vet për zbatimin e kontratave.

“Ne kemi 30 lloje të inspektoratit, dhe mungesa e një standardi të inspektoratit pengon edhe bizneset. Një strukturim dhe dakordim i përbashkët i shërben një procesi më dinamik i një kontrolli të përhershëm. Në anën tjetër shteti nuk i ka eksploru të gjithë mekanizmat e vet për zbatimin e kontratave. Kemi numër të madh të shërbimeve që kërkohen nga institucionet. Kamerierët që punojnë nëpër institucione është e jashtëlogjikës të mos kenë kontrata. Është momenti i fundit që me procesin e reformës së inspektorateve të vendoset rregulli dhe të ulet informaliteti në shoqëri”, tha ai.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli tha se janë duke punuar si Ministri në krijimin e një legjislacioni që ofron siguri dhe shëndet në punë.

Sipas tij, numri i lëndimeve dhe vdekjeve në punë kohëve të fundit është shtuar, dhe që sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet sektori më i rrezikshëm për punë.

“Kemi licencuar gjashtë persona juridik dhe 60 persona fizik për siguri dhe shëndet në punë,  të cilët ushtrojnë detyrat që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë tek punëdhënësit, por këtë vit ministria, realisht inspektorati i punës ka realizuar tre fushata inspektive kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.. Momentalisht sektori që paraqet rrezikshmërinë më të lartë në vend është ndërtimtaria që pasohet nga energjetika, shërbimet tregtia e sektor të tjerë. Numri i inspektorëve në këto vitet e fundit nuk ka qenë i duhuri apo i plotësuar, por ne po shpresojmë që gjatë vitit 2018 realisht ky numër do të rritet dhe do kemi një numër shtesë me inspektor të rinj”, tha Dukolli.

Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha se për këto tema duhet të diskutohet me punëtorë në vende të punës  dhe se të gjitha institucionet duhet të punojnë të ulin nivelin e pasigurisë në vendet e punës.

“Këtë vit vetëm kemi 20 fatalitete. Numri më i madh i fataliteteve është në ndërtimtari dhe këto tryeza janë të mirë por të shkojmë edhe në vendin e punës sepse kështu rritet edhe vetëdija dhe është preventiva më e mirë. Çdo ditë po na ndodhin rastet. Ndodhin rastet gjithkund në botë, por jo sikurse në Kosovë që për dy dërrasa e humbë jetën. Këto nuk falen, ne duhet me çdo kusht të punojmë qe ta ulim këtë dukuri negative. Marrëveshje kolektive është me Kushtetutë që të zbatohet”, tha Ajdini.

Back to top button