“FOL”: Pushteti s’duhet të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, reformat duhet të mirëpriten

Opozita i është përgjigjur akuzave të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu se opozita ka zgjedhur që ta pengojë reformën në drejtësi. PDK-ja thotë se opozita vetëm i ndihmon këto reforma dhe se akuzat nga ana e pushtetit janë mjet për të mbuluar dështimet e tyre.

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial ndërkaq nuk i janë përgjigur akuzave të ministres për mosmbështjetje të reformave si dhe për pazare në konkurse brenda këtyre sistemeve.

Edhe në këtë fillimvit nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës, sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu të mërkurën tha se opozita po e pengon reformën në drejtësi dhe se Gjykata Kushtetuese është bërë aleate e saj.

Akuzave të ministres Haxhiu iu përgjigj PDK-ja. Koordinatori i departamentit për drejtësi në këtë parti, Përparim Gruda thotë se akuzat e pushtetit janë mjet për të mbuluar dështimet.

“Është një akuzë absurde në vetëvete sepse e vërteta është krejt tjetër e vërteta është se opozita po i ndihmon reformat e dini vetingun. Ju e dini që kanë kaluar amendamentet për vetingun në Gjykatë Kushtetuese dhe kanë kalu sipas idesë së PDK-. Qeveria e bënë këto akuza për të mbuluar dështimet e veta. Qeveria i harton ligjet ka mungesë kompetence dhe mungesë vullneti, akuzat që ia bënë opozitës dhe Gjykatës janë mënyrë për të mbuluar dështimet e veta”, tha Gruda për RTV21.

Përveç opozitës ministrja Haxhiu akuzoi edhe Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial për mosmbështetje të reformave si dhe për pazare me konkurse brenda sistemit prokurorial.

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk iu përgjigjen akuzave të ministres.

Në Lëvizjen Fol, thonë se nuk është e drejtë që ekzekutivi të ndërhyjë në punën e sistemit të drejtësisë por që reformat në drejtësi duhet të mirëpriten.

“Duke pasur parasysh që Kushtetuta ka bërë ndarjen e pushteteve.. Pushteti ekzekutiv është i pavarur në ushtrimin e kompetencave si dhe pushteti gjyqësor dhe ai prokurorial është gjithashtu i pavarur për ushtrimin e kompetencave duke pasur parasysh që këto dy pushtete janë të ndara dhe kanë punët dhe kompetencat e tyre nuk është e drejtë që ekzekutivi të ndërhyjë në punën e sistemit të drejtësisë por reformat në këtë sistem duhet të jenë të mirëpritura…. Kacafytjet s’janë aspak të mira dhe si kontribuojnë një vendi demokratik dhe transparencës e llogaridhënies nuk na tregojnë një rrugë të mirë për rrugëtimin tonë evropian. Reformat në drejtësi gjithashtu duhet të bëhen aty ku janë të nevojshme por edhe të përcillen”, tha Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.

Përplasje të pushtetit me opozitën si dhe me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial ndodhën jo rrallë herë gjatë vitit që shkoi./21Media

Back to top button