Kaloni te përmbajtja kryesore

​”Forca dhe guximi jonë është Vasfija”, QKRMT: 26 vjet kujdes, shpresë dhe drejtësi

“Një ditë para se të flas publikisht, e pata dilemën se a mund të flas a jo, ka qenë shumë e vështirë edhe sot është shumë e vështirë dhe kam pasur shumë pikëpyetje se a mund të ja dalë”, ka thënë Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e parë e cila foli publikisht për dhunimin seksual gjatë luftës në Kosovë.

Në shënimin e 26 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ajo tha se shoqëria sot është e gatshme të dëgjojë rrëfime dhe nuk i ka paragjykimet në vitin kur ajo theu heshtjen.

Edhe Ramadan Nishori, burri i parë i cili gjatë këtij viti foli publikisht tha se “forca dhe guximi jonë është Vasfija”.

“Kam menduar se unë çka kam kaluar para se me ardhur në organizatë te ju, në sa sfida kam kaluar unë edhe jam dalë edhe kam menduar që ka edhe shumë të mbijetuar të të tjerë të cilët janë duke kaluar nëpër atë rrugë qe kam kaluar. Më lejoni të përshëndes heroinën tonë të gjallë, se kjo është, Vasfija është forca dhe guximi jonë unë e kam marrë forcën dhe guximin prej Vasfijes”, tha ai.

Vasfije Krasniqi Goodman para shtatë vjetësh, me historinë e saj heshtjes i dha zë, tha drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

Ajo theksoi se për 26 vjet përfituan mbi 12 mijë persona nga shërbimet direkte, duke shtuar se këto nuk janë vetëm numra, por paraqet lot dhe jetë të ndryshuar.

“Në këto 26 vjet nuk po shënojmë vetëm rrugëtimin e historisë, por edhe drejtësi të fituara. Kur e nisem rrugëtimin në vitin 1999, para vetës kishim plagë të thella. Atë botë nuk ekzistonte një sistem i atillë në përgjigje të këtyre plagëve të thella. Dhe kështu nisi misioni jonë, të rindërtojmë jetë dhe të rikthejmë dinjitetin atje ku ishte rrënuar. Ky mision kishte rëndësi të veçantë për t’i dhënë dritë”, tha ajo.

Rushiti tha se trauma e përjetuar nga të dhunuarit seksualisht po përcillet edhe të brezat e rinj.

Psikologia klinike në QKRMT, Selvi Izeti ka folur për afatin kohor për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

“Kur ne vendosim afatin për të njohur dhimbjen, si mund të njihet me afat kohor. A mund të ju themi ne të dhunuarve qe drejtësia është me afat të caktuar. Kemi të bëjmë me dhunime seksuale, ata kur të jenë gati mund të shpalosin dhimbjen e tyre”, ka thënë ajo.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button