Kaloni te përmbajtja kryesore

Formimi i institucioneve në “dorën” e Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i nisë bisedimet me partitë e tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se fillimisht pritet konstituimi i Kuvendit, më pas formimi i Qeverisë dhe pastaj zgjedhja e presidentit të ri.

Ndërkohë, partitë e ish-opozitës e kanë kritikuar LVV-në për mungesë gatishmërie për të nisur bisedimet me partitë e tjera, duke qenë se tashmë është përcaktuar përbërja e Kuvendit. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se është përgjegjësi e Albin Kurtit të gjejë një zgjidhje, duke u koordinuar edhe me partitë e tjera për formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

“Patjetër që varet, sepse LVV-ja e ka në dorë gjithë procesin. Partia e parë mund t’i krijojë institucionet, mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe, në koordinim me partitë e tjera, mund ta zgjedhë edhe presidentin. Më pas mund ta zgjedhë edhe Qeverinë, ashtu siç e parasheh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, këtë situatë e ka në dorë Albin Kurti.”, tha Reçiqa për rtv21

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se Albin Kurti dhe LVV-ja janë rritur politikisht duke shkaktuar kriza dhe, sipas saj, po vazhdojnë me të njëjtën qasje edhe tani, kur si parti fituese do të duhej t’i nisnin bisedimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk jam duke parë ndonjë hap konkret. Nuk është në interes të vendit të shkojmë prapë në zgjedhje. Megjithatë, zoti Kurti, fatkeqësisht, është rritur si subjekt politik në kriza dhe po frikësohem se prapë po dëshiron të shkojë në atë drejtim. Liderët duhet të ulen në mënyrë që të kemi një marrëveshje paraprake, përfshirë edhe emrin e presidentit të ri, sepse nuk është praktikë që vendi të udhëhiqet vetëm nga një subjekt politik.”, u shpreh Haxhiu për rtv21

Deputetja Haxhiu ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që t’i pranojë gjashtë propozimet e AAK-së për formimin e institucioneve. Sipas saj, AAK-ja nuk kërkon përfshirje në institucione, por dalje nga kriza politike dhe ekonomike.

Subjekti ynë politik është i vetmi që ka dalë me oferta që janë në interes të vendit.”

Ndërkoihë, në LDK kanë thënë se fillimisht duhe të bisedohet për zgedhjen e presidentit në mënyrë që të shmangën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

KQZ-ja ende nuk i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, pasi disa kandidatë për deputetë kanë dorëzuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button