Formohet komisioni për ndryshimet kushtetuese
Maqedonia e Veriut e ka nisur procedurën për ndryshimet kushtetuese, me formimin e komisionit për hartimin e amendamenteve, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë.
Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, komisioni përbëhet nga një përfaqësues prej dhjetë partive politike dhe nga një përfaqësues nga presidenti i Republikës, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
“Propozuese e ndryshimeve është Qeveria, dhe pas përgatitjes së amendamenteve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese të Kuvendit, ndërsa në të njëjtën kohë do të mbahen debate publike ekspertësh ku ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera, do të mund të shprehin qëndrimet e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Komisioni bojkotohet nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen.