Foshnja 17 ditëshe u shërua nga koronavirusi pa medikamente
Foshnja tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore
Një foshnje 17 ditëshe arriti t’i mbijetojë koronavirusit në Wuhan pasi u lind nga një grua e cila ishte e infektuar. E porsalindura u bëkështu pacientja më e re që u rikuperua nga virusi në Kinë.
Sipas Daily Mail, ajo doli nga spitali ditën e premte të javës së kaluar. Mjekët bënë të ditur se foshnja u shërua pa ndihmën e medikamenteve.
Ajo u transportua në spitalin e fëmijëve në Wuhan ditën që u lind, ku iu nënshtrua disa testeve mjekësore, nga të cilat u mësua se ajo ishte e prekur me koronavirus.
Vajza e quajtur Xiao Xiao pati një infeksion në sistemin e frymëmarrjes dhe disa probleme kardiovaskulare. Për shkak se simptomat e saj nuk ishin të rënda, mjekët vendosën që të mos i japin antibiotikë, duke e lënë që ta luftonte vetë sëmundjen.
Njëri prej doktorëve në spital, Zeng u shpreh se ajo tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka më probleme me zemrën. Ai gjithashtu tha se ajo u shëndosh gjatë kohës që ishte nën kujdesin e mjekëve./oranews