Foshnja e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës dyshohet se u fut në rrobalarëse

Një foshnje e lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se është futur në rrobalarëse.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për portalin rtv21.tv tha se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”, tha Nikçi.
Javën e kaluar, Policia kishte thënë se prindi i foshnjës është ankuar në polici pasi bashkëshortja e tij ka lindur foshnjën pa shenja jete, përderisa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.
Sipas Policisë familjarët e foshnjës së vdekur kishin insistuar për ta marrë trupin e saj për ceremoninë e varrimit, por nga stafi mjekësor u ishte thënë se foshnja nuk mund të merrej deri të nesërmen./21Media

Back to top button