Franca pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale

Macron, shpresa e Evropës liberale, BE mirëpret rezultatin

Kandidati i pavarur i qendrës, Emmanuel Macron dhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, fituan më së shumti vota në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë dhe do të përballën mes vete në rrethin e dytë, i cili do të zhvillohet më 7 maj. Sipas rezultateve përfundimtare, të publikuara nga ministria e Brendshme e Francës, Macron fitoi 23.7 për qind të votave, ndërsa Le Pen 21.5 për qind. Sipas zyrtarëve francezë, pjesëmarrja në zgjedhje ishte mjaft e lartë, pasi që në rrethin e parë votuan rreth 70 për qind të qytetarëve francezë me të drejtë vote.

Pas publikimit të rezultateve, Evropa liberale reagoi e lehtësuar, pasi që Makron 39 vjeçar u kualifikua në rrethin e dytë dhe gjasat e tij tani janë të mëdha që të zgjidhet President. Gjermania, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Washingtoni e dëshirojnë fitoren e Macronit edhe në rrethin e dytë, me qëllim që të nxirret nga loja Le Pen, fitorja e së cilës do të rrezikonte madje edhe ardhmërinë e Bashkimit Evropian. Brukseli nuk ka fshehur në asnjë moment simpatinë për Macron dhe fitorja e tij eventuale do të forconte themelet e Evropës, të cilat u tronditën pas Bregzitit, krizës së refugjatëve dhe fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Makron, i cili e quan vetën politikan të majtë, i cili është i hapur për idetë e së djathtës, angazhohet për treg të hapur, për reformimin e Bashkimit Evropian dhe ka lavdëruar politikën ndaj refugjatëve të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel. Në anën tjetër, përkundër faktit se Le Pen arriti të shënoi një rezultat më të mirë se në zgjedhjet në vitin 2012, kjo me gjasë nuk do ti mjaftoi, ngase pothuajse të gjithë analistët dhe ekspertët parashikojnë një fitore bindëse të Macronit në rrethin e dytë. Ndër të parët që i uroi Makronit kualifikimin në rrethin e dytë ishte kryetari i Komisionit të Evropës, Jean Claude  Juncker, i cili në porosinë e tij në Tuiter përgëzoi Makronin dhe i dëshiroi fat në rrethin e dytë më 7 maj.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për siguri dhe politikë të jashtme, Federika Mogerini, duke theksuar se rezultati i Makronit në rrethin e parë paraqet shpresë për ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme./21Media

Back to top button