Fshati me liqe, por pa ujë të pijshëm

Liqenin e kanë në mes të fshatit, por banorët e Orllanit të Podujevës dhe disa fshatrave përreth, nuk kanë ujë të pijshëm. Kjo për shkak për mungesës së rrejtit të ujësjellësit. Zgjidhja e tyre për ujin bëhet sipas mundësive.

“E kemi bunarin në oborr, por nuk pihet nuk është për pije nuk e përdorim bartim me kolicë deri sa të vjen ujësjellësi ma tepër sdi. Vallai me ymyt të Zotit, po mbajmë ymyt e se di. E bartim ujin, për tesha jo…. Marrim në liqen kapak se kta nuk bon as për mrena as për kurgjo”, tha për RTV21 një banore e fshatit.

Mungesa e rrjetit të ujësjellësit, probleme po shkakton edhe për shkollën e fshatit. Ajo aktualisht furnizohet nga një pus, thotë drejtori i kësaj shkolle, Naim Bajrami. Ai i ka bërë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për ta vendosur sistemin e ujësjellësit deri në fillim të vitit të ri shkollor.

“Po unë nuk konsideroj që këta ujë të pusetës është të mirë për pije për nxënës, kështu që unë kisha apeluar edhe që sa ma shpejt, sa kam informata për pak diçka ka mbet për rrymë 4 shtylla 5 shtylla elektrike gjë që është jashtëzakonisht keq që edhe kjo pjesë e banorëve të 11 fshatrave tona. Ja ku e kemi liqenin 20 metra prej shkollës a uji nuk na vjen… Edhe niher kisha dasht përmes jush me bo ni kërkesë urgjente që mrena shtatorit që është shumë larg sepse jemi në përfundim të vitit shkollor 2022/23 në shtator shkolla ta ketë sistemin e ujit me ujësjellës nga Batllava”, tha për RTV21 drejtori i shkollës në Orllan, Naim Bajrami.

Përfaqësuesi i fshatit, Nuhi Selimi fajin për neglizhencën e finalizimit për instalimin e rrjetit të ujësjellësit në Orllan, e hedh te të gjitha udhëheqjet e pushtetit.

“Kemi has në vesh të shurdhër gjithëherë deri në kohën e fundit dhe para 4 viteve është bërë një marrëveshje kanë filluar disa pune disa gypa janë instaluar nëpër tokë po që tri vite jemi duke pritur. Premtime ka se këtu në Kosovë jena msu, premtime ka të mjaftueshme po realizime as ne nuk po e kuptojmë ku është shkaku ku është arsyeja. Gypat janë instaluar janë vënë nëpër tokë tubacionet, mirëpo ujë nuk ka as nuk merret askush me atë punë… kjo pjesë është mësuar me vuajtje të ujit, dmth me probleme të ujit, ashtu qysh jemi furnizuar gjithë herë edhe tash dikush me puse dikush me ramje të lirë me 3/4 kilometra, mirëpo nuk ka të mjaftueshëm se çka është më e rëndësishme uji është i papërdorshëm, kimisht nuk është i përdour. Na duhet me përdor se jena msu”, tha Nuhi Selimi, Përfaqsues i Fshatit Orllan.

Ndërkohë, drejtori për shërbime publike në Komunën e Podujevës, Bahri Bislimi, thotë se janë në pritje të shpronësimit të një prone publike e cila do të mundësonte finalizimin e projektit të ujësjellësit.

“Është e vetmja Ministria si organ kompetent që mund të bëjë kërkesë në komunë për të marrë pronë në shfrytëzim dhe të miratohet me procedurë të veçantë dhe në momentin që të na vijë kërkesa prej ministrisë ne do ta shqyrtojmë me hapat më të shpejtë që është e mundshme dhe të bëhet edhe finalizimi i këtij projekti e që në fakt është vetëm edhe funksionalizimi i rezervuarit të ujit në mënyrë që këta banorë të kanë ujë të pijshëm”, tha Bahri Bislimi, Drejtoria për Shërbime Publike në Podujevë.

Në fund të muajit gusht, bëhen 4 vite që kur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, kontraktoi kompaninë punëkryerse për fillimin e projektit të ujësjellësit në Orllan./21Media

Back to top button