Fshati Pozharan që 10 ditë pa ujë

Qytetarët e fshatit Pozharan të Vitisë që dhjetë ditë kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
Burim Ostërgllava banor i këtij fshati për portalin rtv21.tv tha se po e kanë shumë të vështirë këto 10 ditë pa ujë e sidomos në këto temperatura të larta.
Ostërgllava pohoi se janë ankuar në institucionet përgjegjese lidhur me këtë problem, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“10 ditë pikë uji nuk ka”, u shpreh ai, ndërsa tregoi se po furnizohen përmes puseve të cilët thotë se janë edhe të kontaminuar. Ndërkaq, ujin për pije banorët e fshatit Pozharan po detyrohen që ta blejnë.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar Komunën e Vitës, mirëpo, zyrtarë nga kjo Komunë kanë thënë se nuk janë në dijeni për këtë problem, pasi që sipas tyre nuk kanë marrë ndonjë ankesë zyrtarisht.
Ndërsa, nga ujësjellësi “Hidromorava”, përgjegjësi i njësisë për Vitinë, Kemur Mustafa përmes një përgjigje me shkrim ka pohuar se ka mungesë të ujit në këtë fshat.
“Është e vërtetë se gjatë ktyre ditëve furnizimi ka qenë i kufizuar, arsyja se shpenzimi ka qenë enorm mirëpo edhe reduktimet e KEDS-it pasi sistemi është me pompa”, ka thënë Mustafa për portalin rtv21.tv.
Pozharani aktualisht ka rreth 8 mijë banorë./21Media

Back to top button