Fshati Talinoc i Muhaxherëve pa ujë të pijshëm

Sistemi i kyçjes së ujit në fshatin Talinoc të Muhaxherëve në komunën e Ferizajt, është nga një rrjet i vjetër, dhe si pasojë e kësaj shkaktohen reduktime të shpeshta të ujit. Për zgjidhjen e këtij problemi është ndërtuar fabrika për furnizimin e ujit në këtë fshat dhe disa të tjerë, mirëpo, është ende e pafunksionalizuar për arsye të pa qarta. Të pakënaqur dhe pazgjidhje për këtë situatë janë banorët e këtij fshati.
Banorët e fshatit Talinoc të Muhaxherëve në komunën e Ferizajt, qe dhjetë vjet përballen me mungesën e ujit. Reduktimet janë të vazhdueshme dhe pa orar. Banorët thonë se edhe në ato pak orë kur vjen uji, ai është papijshëm.
“Problemet me ujin në fshatin tonë janë kogja moti, ujësjellësin në Talinoc është lidhë në 2005, po deri në 2013 ka shku disi puna mirë, prej 2013 edhe fshatarët nuk e përdorin për pije, e mos të flas ma që 10 minuta vjen, tri orë nuk ka, është uji jo i pastërt, kështu që gjithë fshatarët tash n’atë kohë kanë qenë 300 shtëpi kur është lëshu ky ujësjellësi i vjetër që i themi ne në atë kohë, sot fshati i ka 600 shtëpi”, tha Njazi Behluli, kryetar i fshatit.
Në mungesë të ujit, banorët e fshatit Talinoc i Muhaxherëve, detyrohen për zgjidhje alternative, gjë që po u shkakton telashe të mëdha.
“Probleme boll, pika e parë për pije nuk është, për lamje jo, veç me pusa tona çka i kemi, edhe ato kaniherë kur po bjen shi po trubullohet, për veti une gjithmonë shkoj e bajë me kolicë, her në Ferizaj, her këtu në një vend me një bunar…vec na jemi në kjamet për ujë…”, tha për RTV21 Hysen Makolli, banor.
“Zgjidhjen për ujë, shumë vështirë e kemi, duhet për pije me shku në qytet me marrë ujë, te fusha e sportit atje, shumë vështirë, ujësjellësi është shumë i dobët, një pus per krejt fshatin, nuk mjafton, ai vjen herë pas here edhe kështu pra, gjendjen e kemi shumë të randë”, u shpreh banori tjetër, Refik Azizi.
Për Talinocin e Muhaxherëve dhe disa fshatra të tjera për rreth, fabrika për furnizimin më ujë jashtë funksionit. Sipas kompanisë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni”, punimet në këtë fabrikë ende nuk janë finalizuar nga Komuna e Ferizajt.
“Ajo nuk ka përfundu ende dhe ende nuk është dorëzu tek ne, dmth ne prej qershorit të vitit të kalum, e kemi dërgu stafin tonë në fabrikë, janë 9 veta dhe sigurimi që e mirëmbajnë atë fabrikë. Por, ende nuk është dorëzu sepse ajo fabrikë nuk ka qenë e gatshme teknikisht, prej të gjeturave tona që i kemi pasë, kemi dorëzu me shkrim komunës, komuna me operatorin ekonomik janë mundu deri në muajin tetor i kanë rehabilitu… tani është një pjesë e vogël e sistemit të dezinfektimit e cila nuk është në rregull, po presim edhe atë me rregullu, pastaj me u bo pranim dorëzimi tek ne, e cila ende nuk është bërë, kështu që ne jemi në pritje”, tha Jeton Shabani, nga KRU Bifurkacioni.
Në anën tjetër, Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdari, tha se fabrika e ujit është e përfunduar dhe se janë në fazën e bartjes së kompetencave.
“Fshati Talinoc i Muhaxherëve ka ujë të pijshëm, është i kyçur në rrjetin e vjetër, në këtë fshat e kemi ndërtu edhe fabrikën e ujit të pijes i cili nuk është vetëm për këtë fshat por edhe për disa të tjerë… Fabrika është e përfunduar e gjitha, jemi në procedurë të bartjes së fabrikes në kompetencat e KRU Bifurkacioni pasi që është i vetmi institucion që ka drejt për shpërndarjen e ujit deri te konsumatori”, tha Meriton Hajdari, drejtor i Infrastrukturës, Ferizaj.
As KRU Bifurkacioni e as Komuna e Ferizajt nuk japin një afat kohor se kur do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë për banorët e fshatit të Talinocit të Muhaxherëve./21Media